Gjatë fushatës elektorale të 11 majit, deputeti në detyrë i Parlamentit për qarkun e Elbasanit, Dashnor Sula, nuk u përfshi në listat e kandidatëve të PD-së nga kryetari Sali Berisha dhe mbetet jashtë Kuvendit në këtë legjislaturë.
Gjatë fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama e përdori si diskurs politik këtë element, duke sulmuar Primaret e PD-së dhe faktin se si u la jashtë një figurë e spikatur parlamentare si Sula, të cilin e etiketoi edhe “Gjeli i Peqinit” disa herë. Ai e vlerësoi si kundërshtar të fortë që do ia lehtësonte garën për Elbasanin socialistëve. Kurse kreun e PD-së ai e personifikonte me një "buf kënete” gjatë gjithë fushatës.
Dhe tani ‘perla’ e radhës vjen nga vetë deputeti Dashnor Sula. Ai ka postuar së fundmi me një buf në dorë, që duket se “e ka kapur në kënetë”.
Sula shprehet në llogarinë e tij personale në rrjetin social Facebook, se 'e hasi diku mes dritës së mëngjesit dhe terrinës, i përhumbur si simbol rezistence që nuk do as të ikë dhe as të ecë përpara'. Por ndryshe nga bufi, deputeti shprehet se “ai nuk ka frikë”
Postimi i dashnor Sulës:
“Diku mes dritës së mëngjesit dhe terrinës që nuk do të ikë pa zhurmë, u shfaq Ai… Bufi. I heshtur, i përhumbur, por gjithmonë nën vëzhgim.
I ulur në mes të rrugës, tamam si një simbol i rezistencës së vjetër që s’di të ikë, por as të ecë përpara. Sytë e tij si të një sistemi që ndjek çdo lëvizje, por nuk kupton asnjë drejtim. Dhe po, për pak sekonda më pa si për të më thënë: Këtu jam ende!
Por unë buzëqesha. Sepse ndryshe nga ai, unë nuk kam frikë nga drita”.
Komente
