Pas sulmuesit Armando Broja, humbet po për shkak të dëmtimit edhe mbrojtësin kryesor dhe kapitenin Berat Gjimshiti. Në vend të tij thirret Adrian Bajrami.
Kjo e ka detyruar trajnerin të bëjë përsëri ndryshime në listën e Kombëtares, për dy ndeshjet e para në Grupin B1 të UEFA Nations League.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se kapiteni Berat Gjimshiti nuk do të jetë i gatshëm për dy sfidat ndaj Ukrainës dhe Gjeorgjisë, për shkak të një dëmtimi.
“Mbrojtësi kuqezi pësoi një dëmtim në seancën stërvitore gjatë një testi miqësor me ekipin U-21 dhe më pas iu nënshtrua kontrolleve mjekësore. Pas rezonancës magnetike është konkluduar se Gjimshiti ka pësuar një tërheqje muskulore dhe ka nevojë për disa ditë pushim për t’u rikuperuar nga dëmtimi”, thuhet në njoftim.
Kapiteni kuqezi do të rikthehet te klubi i Atalantës, për të nisur menjëherë rikuperimin.
Në këto kushte, trajneri Sylvinho ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin e Kombëtares U-21, Adrian Bajramin, i cili do të bashkohet menjëherë me ekipin. Lojtarët e tjerë nuk kanë probleme fizike dhe i gjithë grupi pritet të plotësohet gjatë mbrëmjes së të martës.