Kombëtarja shqiptare ka nisur këtë të hënë zyrtarisht grumbullimin për dy ndeshjet e fundit kualifikuese në Europian, me një ndryshim në listë, pasi Arlind Ajeti i dëmtuar është zëvendësuar nga Jon Mersinaj. Sakaq me ekipin në seancën e parë munguan mesfushori Qazim Laçi, portieri Etrit Berisha dhe Elhan Kastrati, sulmuesi Mirlind Daku si dhe mbrojtësi Mario Mitaj, të cilët luajtën të dielën me ekipet e tyre dhe do jenë pjesë e kombëtares të martën.
Për të zyrtarizuar kualifikimin, në transfertën e të premtes kundër Moldavisë, kombëtares i duhet një pikë.
“Ne e kemi parë të gjithë që Moldavia është një kundërshtar shumë i fortë, nuk kanë humbur asnjë ndeshje, e kemi mundur vetëm ne në Tiranë. E dimë që ndeshja është shumë e rëndësishme si një finale,”-u shpreh Klaus Gjasula, futbollist i kombëtares.
“Nuk mendoj që duhet të ndryshojmë dhe të dalim më shumë apo më pak nga vetja, nëse vazhdojmë me këtë ecuri që kemi pasur nuk besoj se do të hasim probleme. Futbolli gjithmonë ka vështirësi dhe mendoj që ekipi që kemi, grupi që kemi ka shumë cilësi dhe zemër dhe besoj se do të dalim me fitore,”-tha Arbnor Muja, futbollist i kombëtares.
Si asnjëherë tjetër në këtë fushatë eliminatore stadiumi i kombëtares ka qenë në katër raste i mbushur në kapacitetin maksimal 100%.
“Jemi shumë të motivuar, me thënë të drejtën muajt e kaluar, ndeshjet në Tiranë dhe jashtë mbështetja ka qenë e shkëlqyer. Unë vetë nuk kam ndjerë ndonjëherë në karrierën time një mbështetje të tillë dhe ka qenë shumë gjë e mire,"-u shpreh Klaus Gjasula, futbollist i kombëtares.
Tre ditë pas ndeshjes me Moldavinë, më 20 nëntor në Air Albania, kombëtarja do ketë ndeshjen e fundit kualifikuese kundër Ishujve Faroe.