Plaurent Dervishaj ndër vite, nga viti 2004 dhe deri më sot
Vitet bëjnë të vetën dhe nuk falin askënd. Madje as ata që cilësohen si “të fortët e botës së krimit”. Pamjet e ekstradimit ditën e sotme (14 Gusht) të Plaurent Dervishajt, treguan edhe një detaj se si koha ndikon tek një njeri.
I ndryshuar rrënjësisht në fizionominë bio-fizike të tij, ai u soll në pranga nga agjentët e Interpol Tiranës nga Dubai, ku ishte arrestuar. Kile më pak, mjekër, flokë më të rëna dhe i thinjur.
Një ndryshim drastik nga fotografitë që Policia e Shtetit, por edhe ajo e SHBA-ve, kishte publikuar në listën e më të kërkuarve. Bëhet fjalë për fotografi të vjetra gati tre dekada më parë, kur ishte i ri dhe më saktësisht e marrë nga koha kur ai qëndronte në Amerikë, kur u lakua edhe për herë të parë emri si anëtar i “Bandës së Durrësit”. Këtë të fundit akuzohet se e drejtonte ish-kunati i tij, Lulzim Berisha, edhe ky i arrestuar në Spanjë dhe pritet ekstradimi në pak ditë sipas autoriteteve ligjzbatuese.
Dervishaj ndodhej prej vitit 2004 edhe në listën e FBI-së amerikane, teksa kërkohej ndërkombëtarisht për "grup të strukturuar kriminal, vrasje me paramendim dhe armëmbajtje të armëve dhe municioneve luftarake". Në atë foton e FBI-së kishte tre profile të tij të ndryshme, të periudhës kur akuzohej për aktivitet kriminal në atë vend.
Atëkohë edhe Policia shqiptare publikoi po këto fotografi, ku dallohej fiziku i shëndetshëm, i rrumbullakosur në fytyrë, me më shumë flokë dhe i pathinjur. Ky portret u rifreskua pak vite më parë për rastin e atentatit në Durrës ndaj prokurorit Arjan Ndoja, pa ndryshime rrënjësore fizike. Fotoja e fundit e Dervishajt për paraqitjen fizike ka qenë ajo e pozicionit të tretë në radhë, njëkohësisht edhe te lista e Interpolit.
Gjatë ekstradimit sot (14 Gusht), Plaurent Dervishaj ishte i veshur me pantallona të kuqe të shkurtra dhe bluzë blu, teksa zbriti në aeroportin Nënë Tereza (Rinas) i prangosur.
Plaurent Dervishaj, në listën e më të kërkuarve të FBI-së me tre profile, shpallje e vitit 2004
Lajmi kryesor:
Atentati ndaj prokurorit Ndoja, sillen nga Dubai Plaurent Dervishaj e Juljan Meçaj! Anëtari i ‘Bandës së Durrësit’ në kërkim edhe për vrasjet e Klodian Saliut, Vajdin Lamajt e mikut të tij
A.Q//ReportTv.al