Ndryshimet, ja kategoritë e reja që përjashtohen nga taksa e ndërtesës

1 Nëntor 2018, 07:22| Përditesimi: 1 Nëntor 2018, 10:38

  • Share

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është miratuar një projektligj që parashikohet të zgjerojë më tej kategorinë e qytetarëve, të cilët nuk do të paguajnë taksën mbi ndërtesën. Kjo taksë, që parashikohej të hynte në fuqi nga 1 prilli i këtij viti, në fakt është shtyrë për në fillim të vitit të ardhshëm, për faktin se kërkonte paraprakisht një institucion që të merrej vetëm me llogaritjen e taksës për secilën ndërtesë të veçantë, apo zonë urbane e rurale dhe, së dyti, të kryhej një punë voluminoze për të vlerësuar në terren objektet.

Sikurse është bërë tashmë e ditur, kjo taksë do të llogaritet me 0.05 për qind të vlerës së një ndërtese, për t’u paguar çdo vit nga pronari i saj, ndërkohë që, kur përdoret për qëllime ekonomiko-tregtare, taksa rritet në 0.2 për qind.

Deri tani, ligji nr. 9632, datë 30.10.2006 “Për sistemin e Taksave Vendore”, i cili është ndryshuar disa herë, parashikon përjashtime për kategori të ndryshme. Kështu, përjashtohen nga taksa mbi ndërtesat, së pari, pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse, njëkohësisht me pasuritë në pronësi të shtetit, të kaluara me vendim të Këshillit të Ministrave, nën administrimin e shoqërive publike shtetërore.

Nga ana tjetër, përjashtohen nga taksimi edhe ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara; banesat sociale në pronësi të bashkive; pasuritë e paluajtshme-ndërtesa, pronë e subjekteve juridike ose fizike, që në bazë të marrëveshjeve me bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa sociale; ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre.

Më pas, janë përjashtuar nga kjo taksë, me nismë të qeverisë Rama, edhe strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”.

Si një masë ndihme sociale, ligji parashikon përjashtimin edhe të kategorisë së atyre kryefamiljarëve, të cilët përfitojnë pension pleqërie ose pension social, që janë me banim në fshat ose qytet, kur familja përbëhet vetëm nga pensionistët dhe ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike.

Nga ana tjetër, nuk taksohen ndërtesat kulturore, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, për kohën në të cilën deklarohet mbrojtja, sipas legjislacionit në fuqi për monumentet e kulturës dhe/ose trashëgiminë kulturore.

Ndryshimi

Projektligji që ka kaluar dje në qeveri parashikon që pika, e cila ka të bëjë me pensionistët të ndryshohet në këtë mënyrë: (përjashtohen) ndërtesat e banimit, të deklaruara si vendbanim nga kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie/pension social, kur familja e tyre përbëhet nga pensionistë të vetëm, ose dhe me persona në ngarkim të tyre, që janë të paaftë për punë”. Pra, është shtuar përjashtimi edhe për ata kryefamiljarë pensionistë që jetojnë bashkë me familjarë, të cilët janë të papunë.

Po kështu, nuk do të taksohen ndërtesat kulturore, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, për kohën në të cilën deklarohet mbrojtja, sipas legjislacionit në fuqi për monumentet e kulturës dhe/ose trashëgiminë kulturore, por këtu qeveria vendos një kusht: këto objekte përjashtohen “vetëm kur përdoren për qëllime jofitimprurëse”.

Përjashtimet nga taksa e ndërtesës sipas projektligjit të ri

Përjashtohen nga taksa mbi ndërtesat:

Pronat e shtetit dhe të njësive të qeverisjes vendore, që përdoren për qëllime jofitimprurëse

Pasuritë në pronësi të shtetit, të kaluara me vendim të Këshillit të Ministrave, nën administrimin e shoqërive publike shtetërore

Ndërtesat e banimit, që shfrytëzohen nga qiramarrësi me qira të paliberalizuara

Banesat sociale në pronësi të bashkive

Pasuritë e paluajtshme-ndërtesa, pronë e subjekteve juridike ose fizike, që në bazë të marrëveshjeve me bashkitë përdoren nga këto të fundit si banesa sociale

Ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre

Strukturat akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”

Ndërtesat e banimit, të deklaruara si vendbanim nga kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie/pension social, kur familja e tyre përbëhet nga pensionistë të vetëm, ose dhe me persona në ngarkim të tyre, që janë të paaftë për punë

Ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike

Ndërtesat kulturore, nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme, për kohën në të cilën deklarohet mbrojtja, sipas legjislacionit në fuqi për monumentet e kulturës dhe/ose trashëgiminë kulturore, vetëm kur përdoren për qëllime jofitimprurëse

Ora 07:31
Ndryshon taksa e infrastrukturës, ja sa do të paguhet nga ndërtuesit

Qeveria ka vendosur dje, në mbledhjen e radhës, që të ndryshojë edhe disa pika të ligjit të Taksave Vendore, që kanë të bëjnë me taksën që paguhet gjatë ndërtimeve.

Sipas amendamentimit të parë, në rastin e ndërtimeve të destinuara për qëllime banimi apo për njësi tregtimi dhe shërbimi, të cilat kryhen nga shoqëri ndërtimi, shkalla e taksës së ndikimit në infrastrukturë do të jetë 4-8% të çmimit të shitjes për metër katror.

Në këtë kategori investimesh përfshihen edhe ndërtimet zëvendësuese për qëllime banimi, të kushtëzuara për t’u ndërtuar si shkak i zbatimit të një kontrate koncesionare, e cila prek banesat ekzistuese. Gjithashtu, në këtë kategori përfshihen edhe ndërtimet e destinuara për qendra tregtare apo të biznesit.

Për ndërtime që destinohen për turizëm, industri, bujqësi, ndërtime individuale për qëllime të përdorimit vetjak nga individët, të ndërtuara nga vetë individi apo me sipërmarrës, si dhe ndërtimeve për qëllime publike, taksa e ndikimit në infrastrukturë do të jetë 1-3% për qind e vlerës së investimit, ndërsa për Bashkinë e Tiranës 2-4%.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?