Ndryshimet klimatike po prekin ndjeshëm sektorin e bujqësisë në vend, duke sjellë pasoja të drejtpërdrejta për fermerët. Ndikimi i tyre është ndjerë së fundmi në zonën e Divjakës, ku fermerët kultivojnë pataten e hershme në fushë të hapur.
“Kapriçot” e motit, ulja e temperaturave dhe rënia e brymës kanë dëmtuar në masë të gjerë bimët e patates. Në këtë zonë mbillen çdo vit minimalisht rreth 400 hektarë me patate, por këtë sezon bujqësor rendimenti ka rënë ndjeshëm.
Disa prej fermerëve shprehen:
“Këtë vit nuk ka as 30 për qind të prodhimit’”
“Patatja shumë dobët, na i vrau i ftohti”
“Çfarë kemi dalë mirë. Shiko çfarë ka bërë i ftohti dhe fara.”
“Është viti më i keq, ndikoi koha dhe ngricat që janë armiku më i madh për bimën e patates. I tharë të gjitha”
Ata kërkojnë prej kohësh një ent rregullator nga shteti, pasi tregtarët përfitojnë nga mundi dhe djersa e tyre, ndërsa burokracitë, siç thonë ata, i kanë lënë jashtë skemave mbështetëse, duke mos përfituar subvencione apo karburant nga programet e qeverisë.
Një situatë e ngjashme po ndodh edhe në Belishovë të Mallakastrës, një fshat i njohur për kultivimin e qershive. Sot, prodhimi ka rënë ndjeshëm, ndërsa qindra pemë janë tharë.
Disa prej fermerëve shprehen:
“Unë vet kam 100 e ca rrënjë, por ku i kam? Janë tharë, disa vetëm kanë mbetur”
“Unë kam gjithë ato rrënjë por janë tharë, edhe insektet janë të padiskutueshme”
“Shumë dobët. Një familje ka shumë pak edhe ato janë tharë, sidomos nga klima por edhe nga plehrat që nuk janë të sakta”
Në këtë realitet, shumë banorë e kanë zhvendosur vëmendjen drejt kultivimit të ullirit, sidomos gjatë tre viteve të fundit, duke kërkuar alternativa më të qëndrueshme për të siguruar jetesën.
Komente
