Ndryshimet ligjore/ Bankat hapin dyert për kontrollin e parave të pushtetarëve

24 Nëntor 2018, 07:31| Përditesimi: 24 Nëntor 2018, 09:15

  • Share

Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri detyrohen me ligj që të hapin dyert për inspektorët e Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive për të verifikuar të gjitha lëvizjet e parave të rreth 7 mijë zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve në sistemin bankar. Bankat janë të detyruara që të vënë në dispozicion të inspektorëve të ILDKPKI të dhëna për depozitat, llogaritë dhe transaksionet e kryera nga personat që mbarin detyrim për të deklaruar pasurinë, për shkak të funksionit publik. Detyrimi parashikohet në projektligjin e depozituar në Kuvend nga deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Bushka Ferhati, për ndryshimin e ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë.

Në ligjin aktual parashikohet që banka jep të dhëna vetëm me kërkesë të kreut të ILDKPKI, duke prodhuar shumë pengesa dhe zvarritje në kontrollin e pasurive. Projektligji parashikon që bankat tani duhet t’u japin akses në të dhënat e lëvizjet së parave çdo inspektori të ILDKPKI që është autorizuar nga Inspektori i Përgjithshëm. “Ky ndryshim vjen si domosdoshmëri e funksionalitetit të sistemit elektronik (online) të deklarimit të interesave private, i cili parashikon ndërveprim me të gjithë institucionet publike dhe private nga të cilat Inspektorati i Lartë, kërkon, merr dhe administron informacion gjatë procesit të kontrollit të plotë dhe/ose hetimit administrativ.

Konkretisht, me anë të mjeteve te komunikimit elektronik, inspektorët e Inspektoratit të Lartë, të ngarkuar me kryerjen e procese të kontrollit, do të kenë mundësi të ndërlidhen me sistemet elektronike të institucioneve publike dhe/ose private, duke ju adresuar kërkesa lidhur me të dhënat e nevojshme për proceset e kontrollit dhe marrjen e informacionit prej tyre. Ndryshimi i parashikuar i hap rrugë institucioneve private për të mos pasur asnjë pengesë ligjore lidhur me komunikimin dhe ndërveprimin, në mënyrë të drejtpërdrejtë, me inspektorët e autorizuar nga Inspektori i Përgjithshëm për ushtrimin e kontrolleve apo hetimeve administrative”, thuhet në relacionin shpjegues të projektligjit. 

Ndryshimet pjesë e luftës kundër korrupsionit
Ndryshimet ligjore vijnë në kuadër të luftës kundër korrupsionit. “Projektligji vjen si domosdoshmëri e përsosjes se mëtejshme të kuadrit ligjor aktual për të lehtësuar procesin e ngritjes dhe vënies në funksionim të sistemit elektronik të deklarimit të interesave private, si një mekanizëm i rëndësishëm në forcimin e mjeteve investiguese/kontrolluese të Inspektoratit të Lartë, me impakt të ndjeshëm jo vetëm në luftën kundër korrupsionit në të gjitha kategoritë e zyrtarëve, të cilët kryejnë funksione publike, por edhe në përmbushjen e pritshmërisë qytetare në rritjen e efektivitetit në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit të zyrtarëve që ushtrojnë funksione publike”, sqaron deputetja propozues.

Afatet për publikimin e pasurive
Projektligji shkurton afatin e përcaktuar në ligj për publikimin e pasurive të zyrtarëve të parashikuar në ligj. Neni 5 i projektligjit që ndryshon pikat 3, 4, 5 te neni 42/1 në ligjin në fuqi, synon të heqë afatet e mëparshme 3 dhe 5 vjeçare të parashikuara për vënien në funksionim të sistemit elektronik (online) të deklarimit të interesave private, në kushtet kur Inspektorati i Larte është drejt përmbushjes se detyrimeve të marra përkundrejt partnerëve ndërkombëtarë USAID/Këshilli i Evropës/BE përgjatë vitit 2019. Shfuqizimi i afateve strikte 3 dhe 5 vjeçare do t'i hapë rrugën Inspektoratit të Lartë që me marrjen në dorëzim të sistemit elektronik (online) të deklarimit të interesave private, të fillojë në mënyrë të menjëhershme fazat e pilotimit, testimit, trajnimit dhe finalizimit të procesit për të gjithë subjektet që mbartin detyrimin për deklarim.

Rideklarim të pasurive që nga 1991
Mbi 7 mijë zyrtarë të gjitha niveleve duhet të deklarojnë nga fillimi pasuritë e tyre dhe të personave të lidhur me ta, që viti 1991 deri në fund të vitit 2018, ndërsa dosjet e tyre të pasurive do të bëhen publike. Të gjithë zyrtarët që mbartin detyrimin për deklarimin e pasurisë, kur të deklarojnë për herë të parë pasurinë me anë të sistemit elektronik, duket të deklarojnë gjendjen e pasurisë së grumbulluar, detyrimet financiare dhe interesat e tjera të përcaktuara në ligj, përfshirë burimet e krijimit të tyre, për periudhën para fillimit të punës, gjatë periudhës së ushtrimit të detyrës dhe pas largimit nga detyra, nëse janë larguar nga detyra.

Në bazë të këtij parashikimi do të duhet që të deklarojnë pasurinë nga fillimi që nga presidenti, kryeministri, zëvendëskryeministri, ministrat, zëvendësministrat, krerët e bashkive, ambasadorët, gjyqtarët, prokurorët, anëtarët e KLD, njerëzit e organeve të reja të drejtësisë, krerët e institucioneve Kushtetuese, anëtarët e KQZ, drejtorët e drejtorive etj. Këto masa merren në kuadër të një projekti të financuar nga SHBA-BE dhe të një parashikimi ligjor për publikimin e të gjitha dosjeve të pasurive online. Kësisoj projektligji ndryshon edhe mënyrën e deklarimit të pasurisë. Tashmë pasuria duhet të deklaruar në mënyrë elektronike.

300 zyrtarë janë kallëzuar për fshehje pasurie nga 2014-2018 
Mbi 300 zyrtarë të niveleve të ndryshme janë kallëzuar penalisht nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Tiranës, në harkun kohor 2014-2018, për pastrim parash të pista, fshehje pasurie, deklarim të rremë, falsifikim dokumentesh etj. Pjesë e listës të të kallëzuarave janë ish-ministra, deputetë, ish-deputetë, drejtorë të rëndësishëm, ambasadorë, prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët në masën 99 % i kanë shpëtuar drejtësisë, pjesa më e madhe pa u përballur fare me gjykatën. 262 kallëzime penale janë bërë gjatë periudhës 2014-2017, shifër kjo që reflektohet edhe në raportin vjetor të veprimtarisë së ILDKPKI, ndërsa mbi 40 zyrtarë të tjerë janë referuar në prokurori, gjatë muajve të parë të vitit 2018, për pastrim parash dhe fshehje pasurie të pajustifikuar me të ardhura të ligjshme.

Po gjatë kësaj periudhe 2014-2018 janë marrë mbi 2 mijë sanksione administrative me ‘gjobë’ ndaj zyrtarëve të niveleve të ndryshme që janë subjekte deklaruese sipas ligjit, për mosdeklarim të pasurisë brenda afatit, për mosdeklarim para fillimit të detyrës, për refuzim të dhënies së të dhënave, për refuzim të kryerjes së ekspertimit etj. Ndërkaq, krahas kallëzimeve, vitet e fundit është rritur frikshëm edhe pasuria e pajustifikuar e zyrtarëve të lartë. Nëse gjatë vitit 2016, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive konstatonte se vetëm 12 zyrtarë të lartë posedonin rreth 40 milionë euro pasuri të pajustifikuar, për vitin 2017, ILDKPKI ka konstatuar se funksionarët e lartë posedojnë 80 milionë euro pasuri të pajustifikuar me burime të ligjshme të ardhurash.

(KLIKO KETU PER TE LEXUAR PROJEKTLIGJIN "PER DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NE LIGJIN NR.9049, DATE 10.4.2003 "PER DEKLARIMIN DHE KONTROLLIN E PASURIVE, TE DETYRIMEVE FINANCIARE TE TE ZGJEDHURVE DHE TE DISA NEPUNESVE PUBLIKE")

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Leni: 24/11/2018 13:21

    Mos u lodhni kot. Jane lojeta. Te dy palet jane bashke. Populli e peson...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?