Ditën e nesërme në orën 10:00 do të depozitohet në Gjykatën Kushtetuese kërkesë-padia e nënshkruar nga kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, për ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor.
Lajmin e ka bërë të ditur juristi Rezart Kthupi përmes një reagimi në Facebook, ku ka publikuar edhe dokumentacionin që do i depozitohet gjykatës.
Sipas Kthupit, kërkesa ka për qëllim që të provojë para gjykatës të gjitha shkeljet ligjore që janë kryer në ligjin e votuar në Kuvend.
Ai tha gjithashtu se lista e kandidatëve për deputetë duhet t’i nënshtrohet vullnetit të qytetarëve dhe jo vullnetit të kryetarëve dhe ato sipas tij duhet të jenë të hapura.
'Nesër në ora 10.00 do të depozitojmë në Gjykatën Kushtetuese kërkesë padinë e nënshkruar nga kryetari i LZHK Dashamir Shehi për ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor.
Kjo kërkesë padi ka për qëllim të provojë përpara gjykatës të gjitha shkeljet ligjore që janë kryer për shndërrimin në ligj të një marrveshje politike që synon kufizimin dhe zvogëlimin e të drejtave kushtetuese të qytetarëve.
Lista e kandidatëve për deputetë duhet t’i nënshtrohet vullnetit të qytetarëve dhe jo vullnetit të kryetarëve, ajo duhet të jetë lista e përfaqësuesve të qytetarëve dhe jo e kryetarëve. Deputetët në Kuvendin e Shqipërisë duhet të përfaqsojnë interesat e qytetarëve dhe jo ato të kryetarëve.
Listat e hapura dhe e drejta e qytetarëve për të përzgjedhur deputetët që i përfaqsojnë në Kuvendin e Shqipërisë është mundësia më e mirë që një sistem politik i ngurtësuar, ku gjithcka lind dhe vdes nën hijen e kryetarit, të çlirohet e të jetë në funksion të interesave të qytetarëve e jo të kryetarëve, të interesave të Shqipërisë e jo të partisë.
Shqipëria është e para.', shkruan Rezart Kthupi në Facebook.