Ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore, nisin të hënën diskutimet! 3 nisma në Kuvend, PS kërkon 'objekt të qartë'! Tabaku e Spaho lehtësi për opozitën

17 Dhjetor 2023, 13:35| Përditesimi: 17 Dhjetor 2023, 15:07

  • Share

Teksa Komisionet Hetimore vijojnë të jenë ‘molla e sherrit’ mes mazhorancës e opozitës, ku njëra palë nuk pranon ngritjen e tyre, ndërsa tjetra mban peng zhvillimin normal të punimeve të Kuvendit, të hënën nis diskutimi në komisionet parlamentare i ndryshimit të ligjit.

I pari që do ta diskutojë është komisioni i ligjeve, ku do të bashkohen 3 nisma që janë depozituar në harkun kohor të 1 viti: I fundit ai i Partisë Socialiste që u prezantua nga deputetja Ermonela Felaj në kulmin e debatit për komisionet hetimore, më 30 nëntor, ndërsa dy draftet e tjera janë propozuar rreth 1 vit më parë nga deputetët e opozitës Jorida Tabaku dhe Edmond Spaho.

Por çfarë përmbajnë 3 propozimet dhe si ndryshon ligji për komisionet hetimore?

Partia Socialiste kërkon përcaktim të qartë të objektit të komisioneve hetimore. Sipas draftit, Komisioni ngrihet për një çështje konkrete, të veçantë, të cilat janë vetëm ato që lidhen me aspektin e kontrollit dhe zbatimit të ligjit dhe që nxisin rregullimin e tij.

PS fut në draft edhe zhvillimin me dyer të mbyllura të mbledhjeve të komisionit, kur thirret një dëshmitar, në rastet kur përfshihet jeta personale e dëshmitarëve, kur rrezikohet jeta e tyre ose kur bëhen referenca që lidhen me sekretin e biznesit/ tregtar apo me sekretin shtetëror, apo kur mund të dëmtojë moralin shoqëror ose mund të sjellë përhapjen e të dhënave që duhet të mbahen sekret në interes të shtetit nëse një gjë e tillë kërkohet nga organi kompetent."

Pikërisht dëshmitarët janë pika që e ndan propozimin e PS me propozimin e Jorida Tabakut, e cila në draftin e depozituar në Kuvend 1 vit më parë, kërkon që mbledhja me dyer të mbyllura e komisionit të bëhet vetëm në rastet kur dëshmitari është marrë më herët në pyetje nga prokuroria, si person që ka dijeni për një vepër penale, si person nën hetim apo si i pandehur.

Në draftin e saj me 12 pika të depozituar në Kuvend në datën 9 dhjetor 2023, Tabaku kërkon edhe përfaqësim të barabartë në Komisionet Hetimore mes maxhorancës dhe opozitës, duke kërkuar të shmanget me ligj bllokimi që PS mund t’i bëjë me forcën e kartonëve punës së komisionit, ndryshe nga sa ligji aktual i Komisioneve Hetimore përcakton se është mazhoranca ajo që ka shumicën e anëtarëve me 1 më shumë.

Ndërsa Edmond Spaho shkon edhe më tej, në amendamentin me 2 pika të propozuar prej tij në 8 mars të vitit 2023.

Ai kërkon që shumica e anëtarëve të komisionit hetimor të jetë e forcës politike që e kërkon ngritjen e komisionit, ndërsa parashikon uljen e numrit të deputetëve që kanë të drejtë të kërkojnë ngritjen e një komisioni hetimor nga 35 deputetë që është aktualisht në 15 deputetë, një propozim i cili do të kërkonte edhe ndryshimet kushtetuese.

Lexo të plotë projektligjet:
Projektligji i depozituar nga PS
Projektligji i depozituar nga Jorida Tabaku
Projektligji i depozituar nga Edmond Spaho

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Mark: 17/12/2023 14:16

    Me qarte se kaq nuk ka. Objekt i "qarte" eshte vetem kur puqet me "vijen" e organizates politiko-korruptivo-kriminale e njohur si PS dhe kuptohet kreut te saj te "lavdishem" don Rama.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?