Ndryshimi i aleancave- Si u tall PD me Çështjen Çame, pakti Basha-Idrizi i dyshimtë

18 Shtator 2018, 07:18| Përditesimi: 18 Shtator 2018, 09:57

  • Share

Kryetari i PDIU Shpëtim Idrizi u largua zyrtarisht nga koalicioni me Partinë Socialiste duke iu bashkuar i vetëm koalicionit opozitar, pasi tre deputetët e PDIU refuzuan të ndryshonin pozicionin politik. Si gjithmonë, arsyeja e lëvizjes së radhës së Shpëtim Idrizit është, sipas tij, kauza çame. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PDIU, Shpëtim Idrizi, deklaroi se kishte gabuar që i kishte besuar kryeministrit Edi Rama zgjidhjen e Çështjes Çame. Disa ditë më vonë, Idrizi nënshkroi një marrëveshje me 6 pika me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën, e cila si kryefjalë ka zgjidhjen e Çështjes Çame. Partia Demokratike dhe PDIU kanë një përvojë bashkëpunimi për zgjidhjen e Çështjes Çame.

Kjo përvojë konfirmon se Çështja Çame është thjeshtë një tymuese e Lulzim Bashës dhe Shpëtim Idrizit për marrëveshjen me 6 pika, pas të cilës duket se fshihen interesat e përbashkëta për pushtet. Gjatë tetë viteve në pushtet, i gjithë angazhimi i Partisë Demokratike për adresimin e Çështjes Çame konsiston vetëm në riaktivizimin e një Rezolute për Çështjen Çame, e cila ishte hartuar dhe votuar në vitin 2004.

Loja e PD

Partia Demokratike bllokoi dhe refuzoi të miratonte një rezolutë për Çështjen Çame para zgjedhjeve të 2013. Në vitin 2012, kreu i PDIU, Shpëtim Idrizi paraqiti një rezolutë për miratim në Kuvend. Dokumenti u mbajt i bllokuar për disa muaj, për shkak se miratimi i saj mund të prodhonte një reagim të fortë nga Athina. Me afrimin e zgjedhjeve të 2013, Shpëtim Idrizi shtoi presionin mbi PD për ta miratuar, ndërsa deklaroi se do të jepte dorëheqjen nëse rezoluta nuk miratohej. “Unë personalisht e kam lidhur fatin tim politik me këtë rezolutë, duke thënë që nëse rezoluta nuk miratohet unë do të japë dorëheqjen. Çdo forcë politike që nuk do ta mbështesë këtë rezolutë absolutisht nuk do të afrohej që të kërkonte mbështetje apo bashkëpunim me ne”, tha Idrizi. Dokumenti me 13 pika nuk u miratua nga Partia Demokratike. Sali Berisha, në atë kohë kryeministër, tha se nuk pranonte presion për këtë çështje. Sipas tij, ‘natyrisht dua të them këtu se kjo nuk bëhet nga një mazhorancë, nga asnjë forcë politike, kundrejt asnjë lloj forme presioni’. Megjithatë, me afrimin e zgjedhjeve Sali Berisha dhe Jozefina Topalli gjetën një zgjidhje për të ‘shpëtuar’ Idrizin nga dorëheqja, duke u tallur me Çështjen Çame. Berisha dhe Topalli nxorën një rezolutë të vitit 2004 për Çështjen Çame dhe e ribotuan formalisht, ndërsa Shpëtim Idrizi e shpalli këtë akt si fitore të madhe.

Manovra

Në prill të 2013, pak para mbylljes së legjislaturës, Kuvendi konsideroi të miratuar një rezolutë për Çështjen Çame, e cila ishte hedhur në votim në vitin 2004, por që në atë kohë ishte konsideruar si e rrëzuar më vota. “Rezoluta për Çështjen Çame, e propozuar konsensualisht nga Komisioni i Jashtëm i parlamentit në 8 prill 2004, do të hyjë në fuqi brenda pak ditësh me botimin në Fletoren Zyrtare”, tha Jozefina Topalli. Rezoluta për Çështjen Çame e vitit 2004 u paraqit për votim në Kuvend në atë kohë nga deputetë të Partisë së Ballit Kombëtar. Në përfundim të votimit, rezoluta mori 53 vota pro, 55 abstenime dhe 4 vota kundër të PBDNJ-së. Për të shpëtuar Idrizin nga dorëheqja dhe për ta mbajtur në koalicion, PD dhe Kuvendi bënë një hetim parlamentar nëse dokumenti mund të quhej apo jo i miratuar. Në përfundim të hetimit u arrit në konkluzionin se rezoluta ishte miratuar që në vitin 2004. Në 26 qershor të 2013, rezoluta e 2004 u botua në Fletoren Zyrtare, pas u bërë asnjë rivotim në Parlament, por duke u konsideruar e miratuar.

Rezoluta e vitit 2004 për Çështjen Çame

Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, duke vlerësuar nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, vullnetin e dyanshëm për zhvillimin e tyre të mëtejshëm në të mirë të dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe të paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajon, e të integrimit evropian dhe euroatlantik;

-Duke mbajtur parasysh se Greqia, si vend mik, anëtar i Bashkimit Europian dhe NATO-s, përbën një partner shumë të rëndësishëm në rrugën e Shqipërisë për arritjen e objektivit madhor për integrimin në strukturat euro-atlantike;

-Duke konsideruar Konventën Europiane, Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut dhe dokumente të tjera ndërkombëtare, të njohura nga të dyja palët;

-Mbështetur në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së mirë dhe Sigurisë midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë;

- Vlerëson se është koha që çështja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dy palët, në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së mirë dhe Sigurisë, të nënshkruar dhe të ratifikuar nga të dyja vendet;

-I kërkon qeverisë së Republikës së Shqipërisë të shtojë më tej përpjekjet për zgjidhjen e

çështjes së pronave dhe pasurive të tjera të patjetërsueshme të popullsisë çame, në përputhje me dokumentet e njohura ndërkombëtare;

- Çmon se gjetja e një zgjidhjeje të shpejtë në aspektin teknik dhe juridik midis qeverive të dy vendeve për çështjen e sekuestros konservative të vendosur si rrjedhojë e Ligjit të Luftës të vitit 1940 mbi pasuritë e popullsisë çame, si dhe ngrirjen e ligjit nr. 2664 të 3 dhjetorit 1998, do të përbënin një kontribut shumë të rëndësishëm për kapërcimin e problemeve të krijuara prej tyre;

- I kërkon qeverisë shqiptare që nëpërmjet grupeve të posaçme të punës të bashkëpunojë me palën greke dhe, në frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit dhe Fqinjësisë së mirë, të përshpejtojë fillimin e negociatave me qeverinë greke për zgjidhjen e këtij problemi;

- Shpreh bindjen se Parlamenti i Republikës së Greqisë, i cili ushqen të njëjtin vullnet për

çuarjen përpara të marrëdhënieve dypalëshe shqiptaro-greke, do të japë kontributin e tij për trajtimin me frymë konstruktive dhe zgjidhjen përfundimtare të çështjes së lartpërmendur, duke bërë edhe rregullimet ligjore përkatëse;

- Ngarkon qeverinë e Republikës së Shqipërisë që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit. Tiranë, më 8 prill 2004.

Pikat e rezolutës së PDIU që nuk u miratua nga PD

1. Rezoluta njeh, mbështet, dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjitha të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi genocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to, si dhe frymën e Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve;

2. Kërkon rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish-shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare;

3. Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare;

4. Kërkon shtrirjen e efekteve të ligjit grek 1540/1985 “për rregullimin e refugjatëve”, tek të gjithë shtetasit grekë të larguar si pasojë e konfliktit civil, pa diskriminim kombësinë e tyre, ligj që bie në kundërshtim me shumë akte ndërkombëtare, për mosdiskriminim mbi bazë kombësie, race, feje etj;

5. Kërkon nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, që së bashku me Qeverinë e Republikës së Greqisë, të riaktivizojë Komisionet e Posaçme Dypalëshe, të sanksionuara në Traktatin e Miqësisë, të shqyrtojnë çështjen, të njohin përmasat e saj, të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim;

6. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të padëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata;

7. Kërkon ngritjen në Paramithi dhe Filat, të dy lapidarëve, që do të përkujtojnë gratë, pleqtë, e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve kryera nga njësitë paramilitare greke.

8. Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve, ish qytetarëve grekë, të vrarë gjatë genocidit grek;

9. Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare në tekstet shkollore;

10. Ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe sporteve që, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së Greqisë, të promovojë vlerat kulturore të tyre dhe objektet kulturore që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të shkencës t’i kërkojë Ministrisë homologe të nxisë heqjen në tekstet greke të referimeve fyese dhe diskriminuese ndaj popullsisë çame;

11. Ngarkon Qeverinë shqiptare, që në përputhje me këtë Rezolutë, t’i shprehë palës greke në kontaktet diplomatike qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë problem;

12. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare;

13. I rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqesë çështjen në instancat ndërkombëtare adekuate.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?