Ndryshon garancia e dytë sovrane, duke ngarkuar me një tjetër përgjegjësi Ministrinë e Financave. Sipas vendimit të ri Ministria e Financave do të ndjekë edhe procedurat e kthimit të huasë nga bizneset.
Në vendimin thuhet se nëse biznesi nuk kthen brenda 2 vitesh kredinë e marrë, atëherë është Ministria e Financave që do të ndjekë hap pas hapi rikuperimin e detyrimit.
“Nëse pas 2 (dy) viteve nga data e kryerjes së Pagesës së Garancisë, Huadhënësi nuk ka mundur të rikuperojë detyrimet e Huamarrësit, MFE-ja zotëron të drejtën që të ndjekë vetë procedurat ligjore për rikuperimin e detyrimeve, në masën e çdo pagese të kryer nga MFE-ja, në kuadër të garancisë për këtë Hua, në përputhje me të drejtat dhe mjetet ligjore që ka në bazë të Marrëveshjes së Mirëkuptimit”, thuhet në pikën 3 të nenit të 7 të vendimit të ri.
Përpara se të arrijmë në këtë pikë kur ministria merr në dorë procesin e kthimit të kësteve, kjo e fundit autorizon bankën që të ndjekë të gjitha mënyrat për rikuperimin e detyrimeve, në përputhje me procedurat ligjore dhe praktikat e sektorit bankar.
Garancia e dytë sovrane është në vlerën e 150 milionë dollarëve, do të jetë me normë interesi deri në 5%, dhe nuk mbulohet e gjitha nga shteti. Në këtë linjë të dytë shteti do të garantojë 60% të vlerës së kredisë ndërsa 40% mbulohet nga bankat, pra bankat do të kenë të drejtën të kërkojnë edhe kolateral për pjesën që mbulojnë vetë. Vlera e kredisë së vendosur në dispozicion nga huadhënësi për huamarrësin në asnjë rast nuk do të jetë më e lartë se 300 milion lekë. Po ashtu asnjë bankë nuk do të japë kredi më shumë se 50% të vlerës së garancisë që ka në dispozicion, për huamarrës që kërkojnë më shumë se150 milionë lekë.
Ndërkohë bizneset që do të marrin kredinë mund ta përdorin për kolateral dhe për investime, dhe në momentin që biznesi nuk paguan këstin Ministria e Financave paguan këstin e saj, ndërsa bankat kanë garanci për 40% e kredisë kolateralin e lënë nga biznesi.