Seanca për zëvendësimin ose jo të masës së sigurisë “Arrest në burg“ për Florenc Çapjan, njërit prej anëtarëve të grupit “Çapja” në Elbasan, është shtyrë për në datën 24 shtator 2019, ku në këtë ditë pritet të ketë zhvillime të tjera rreth këtij procesi. Burime pranë gjykatës së Elbasanit thanë për “Shqiptarja.com” se prej muajit gusht 2019 në këtë proces gjyqësor është ndryshuar gjyqtarja që ndjek hetimin paraprak dhe shqyrton masat e sigurisë për të ndaluarin Florenc Çapja. Madje ditën e djeshme mësohet se mes gjykatës, prokurorisë dhe avokatit mbrojtës të Florencit, është bërë një debat juridik, pikërisht për mënyrën se si në këtë çështje penale, ka hyrë një gjyqtare e re për shqyrtimin e kërkesës së zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për të arrestuarit Florenc Çapja.
Kjo gjyqtare e re që ka hyrë në këtë çështje quhet Pajtime Fetahu, duke spostuar gjyqtaren e seancës paraprake dhe që ka dhënë e para vendimin për Florenc Çapjan, gjyqtaren Miranda Konica (Çekrezi). Fetahu ka marrë drejtimin e dosjes në gjykatë në muajin gusht 2019, pikërisht kur Miranda Konica ka qënë me lejë vjetore, ndërsa Fetahu ka qenë e në listë gadishmërie në gjykatën e Elbasanit. Gjatë seancës së djeshme prokuroria e Elbasanit ka kërkuar përjashtimin e gjyqtares Fetahu nga shqyrtimi i masës së sigurisë për Florenc Çapjas, me argumentin se ajo nuk është kopetente dhe ska bazë ligjore për të shqyrtuar këtë dosje. Kjo pasi, sipas diskutimit që u zhvilluar në gjykatë, gjyqtarja koopetente është pikërisht Miranda Konica (Çekrezi), e cila rezulton se është gjyqtarja që shqyrton kërkesat e të arrestuarve gjatë fazës së seancës paraprake.
Miranda Konica në datën 12 qershor 2019 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për Florenc Çapjan, pasi prokuroria e Elbasanit e akuzon këtë të fundit për akuzën e “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë në dëm të ish-efektivit të policisë rrugore Fadil Mema dhe akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve luftarake”. Por pavarësisht se çfarë ka ndodhur prej qershorit 2019, tashmë çështja e Florenc Çapjas është marrë nga një gjyqtare tjetër e cila ka refuzuar të tërhiqet edhe pas kërkesave të bëra nga palët në këtë proces gjyqësor dhe pritet që në ditët në vijim të dali me një vendim konkret nëse do vendosi lirimin nga qelia ose jo të Florenc Çapjas.
Ndërkohë po në gjykatën e Elbasanit ditën e sotme është zhvilluar dhe seanca për kërkesën e zëvendësimit të masës së sigurisë “arrest me burg” të bërë nga avokatët e të arrestuarit Endri Çopja, të akuzuar për “Heqje të paligjshme të lirisë” në dëm të shtetasit Bledar Karaj ngjarje kjo e ndodhur në 2006, ky i fundit i arrestuar dhe liruar nga qelia për korrupsionin në AMA. E njëjta gjyqtare ka marë dhe këtë çështje në dorë, duke spostuar gjyqtaren e seancës paraprake Miranda Konica. Pritet që në vijim në datën 26 shtator 2019, gjykata të dali me një vendim.