Dokumenti/ Ndryshon ligji i pronave, kompensimi jo më i ulët se 10% e vlerës aktuale, 7 mijë kërkesat e fundit për njohje do shqyrtohen brenda vitit 2024 

15 Nëntor 2022, 17:11| Përditesimi: 15 Nëntor 2022, 17:36

  • Share

Në Kuvend ka nisur shqyrtimi i disa ndryshime në ligjin bazë të vitit 2015 për përfundimin e procesit të njohjes dhe kompensimit të pronave. Ndryshimet reflektojnë disa detyra që Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Gjykata Kushtetuese i kanë lënë qeverisë për çështjen e pronave, një nga çështjet më të mprehta të tranzicionit në Shqipëri, që ka prodhuar mbi 6 mijë viktima, dhjetëra mijëra gjyqe, konflikte, korrupsion, falsifikime, drama familjare etj.

Pronarët që u është bllokuar prona pas vitit 1945 dhe që nuk kanë mundur t’i rimarrin pas vitit 1991, do të kompensohen në një vlerë jo më e ulët se 10% e vlerës aktuale të pronës. Ky është kufiri i fundit që ka vendosur Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, e ritheksuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Kjo formulë do të zbatohet jo vetëm për vendimet përfundimtare për njohjen dhe kompensimin e pronave, por edhe për rreth 7 mijë kërkesa të pa trajtuara, për njohjen e së drejtës së pronës. Shqyrtimi i 7 mijë kërkesave është vendosur si detyrim nga Gjykata Evropiane. Gjithashtu, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka kërkuar indeksimin e shumës së kompensimit deri në pagesën përfundimtare.

Vendimet përfundimtare që kanë njohur të drejtën e kthimit e të kompensimit të pronës, kur ka ndryshuar zëri kadastral, vlerësohen financiarisht, duke llogaritur vlerën e pronës të njohur për kompensim, duke u bazuar në zërin kadastral aktual. Më pas llogaritet vlera e pronës së kthyer, të kompensuar fizikisht apo të përfituar në një nga mënyrat e tjera sipas ligjeve që kanë rregulluar kthimin e kompensimin e pronave.

Sipas ndryshimeve ligjore, kur vlera e pronës së kthyer është më e madhe sesa vlera e pronës së njohur për kompensim, atëherë vlerësimi financiar i vendimit përfundimtar që ka njohur të drejtën e kthimit e të kompensimit të pronës është e barabartë me zero lekë dhe në këtë rast personi i shpronësuar konsiderohet i kompensuar. Në rastet kur vlera e pronës së njohur për kompensim është më e madhe sesa vlera e pronës së kthyer, atëherë vlerësimi financiar është i barabartë me 10 % të diferencës, që rezulton, duke zbritur vlerën e pronës së kthyer nga vlera e pronës së njohur për kompensim.

Është vendosur që tokat e përcaktuara për kompensim, që janë pjesë e fondit të tokës, janë të paprekshme, ku asnjë organ administrativ apo gjyqësor nuk mund të disponojë mbi këtë fond. Është përcaktuar gjithashtu që dosjet e pashqyrtuara, duhet të shqyrtohen brenda datës 12 dhjetor 2024. Radha e shqyrtimit do të jetë nga kërkesat më të hershme.

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Taku: 17/11/2022 00:09

    Ky po qe eshte shkrim. Tipik investigim. Bravo Tiku.....

    Përgjigju
  • Muharrem: 15/11/2022 19:24

    Ca 10% pse te paguaj shteti pronat qe u ka dhene turku para 200 vjetesh,,te ndiqet e njejta forme si atyre te tokes se xanun qe ja prishi Rama pa asnje lloj shperblimi,nuk duhet te paguaj populli lek njerzve qe bejne paligjshmeri

    Përgjigju
    • Bledar: 23/03/2023 17:34

      Çfarë pronash turku thua more, njerëzit i kanë prona të trashëguara brez pas brezi nga të parët,shteti komunist ua mori pa i pyetur dhe tani shteti ka detyrimin ligjor dhe moral t'ua kthejë, madje 10% është shumë pak. Nuk krahasohen ata që zaptuan dhe politika ua legalizoi per vota me ish pronaret që janë në të drejtën e Zotit.

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?