Shkëlqim Ganaj, kreu i ILDKP

Ndryshon ligji/ ILDKPI, Kuvendi i hap rrugë Shkëlqim Ganajt për mandat të dytë

13 Janar 2019, 07:48| Përditesimi: 13 Janar 2019, 07:52

  • Share

Shkëlqim Ganaj mund të rizgjidhet për një mandat të dytë në krye të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave. Ndryshimet e fundit në ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 për deklarimin dhe kontrollin e pasurive..., të miratuara nga Kuvendi dhe të botuara në Fletoren Zyrtare në 9 Janar, kanë hedhur poshtë parashikimin sipas të cilit, Inspektori i Përgjithshëm nuk ka të drejtë të rizgjidhet për një mandat të dytë. Konkretisht, ndryshimet rrëzojnë pikën 2 të nenit 11 të ligjit aktual, e cila parashikon që “Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet me 3/5 e gjithë anëtarëve të Kuvendit për një mandat 7-vjeçar, pa të drejtë rizgjedhjeje”. Ligji i ndryshuar parashikon që Inspektori i Përgjithshëm zgjidhet nga Kuvendi për një mandat 7-vjeçar. Shkëlqim Ganaj u zgjodh në krye të ILDKPKI nga Kuvendi në 20 shkurt 2014, përmes kundërshtimeve të forta të opozitës. Zgjedhja e Ganajt erdhi pas shkarkimit të Zana Xhukës. Në harkun kohor 2014-2018, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave ka kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Përgjithshme dhe Prokurorinë e Tiranës, mbi 300 zyrtarë të niveleve të ndryshme, por numri i rasteve që prokuroria ka referuar në gjykatë, është i papërfillshëm.

Procedura e zgjedhjes

Ligji i ndryshuar parashikon që Kuvendi, jo më vonë se tre muaj përpara përfundimit të mandatit, publikon shpalljen për vendin vakant të Inspektorit të Përgjithshëm. Lista e kandidatëve i kalon komisionit të përhershëm të Kuvendit që mbulon çështjet ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve dhe kushteve përkatëse. Komisioni shqyrton kandidaturat dhe zbaton procedurat, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit. Komisioni përzgjedh të paktën dy kandidatë, të cilët i kalojnë Kuvendit për votim. Ndërkaq, Kuvendi zgjedh Inspektorin e Përgjithshëm me 3/5 e anëtarëve të tij në votimin e parë. Në rast se kjo shumicë votash nuk arrihet, Kuvendi zhvillon votimin e dytë jo më vonë se 7 ditë nga përfundimi pa sukses i votimit të parë. Në votimin e dytë, Kuvendi zgjedh Inspektorin e Përgjithshëm me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të tij. Inspektori i Përgjithshëm bën deklarimin e parë të pasurisë brenda 30 ditëve nga zgjedhja e tij dhe çdo vit, pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Pas përfundimit të mandatit, me pëlqimin e tij, ai ka të drejtë të emërohet në funksionin ose detyrën publike që kishte para zgjedhjes së tij ose në një vend të barasvlershëm me vendin e mëparshëm. Ai nuk përfiton nga kjo e drejtë, në rastet kur shkarkohet për shkelje të rëndë të ligjit ose për akte dhe sjellje që diskreditojnë rëndë pozitën dhe figurën e Inspektorit të Përgjithshëm.

Pesë ndryshimet në ligjin për pasuritë

1. Qartësimi i detyrimit që mbartin subjektet aktuale, të cilët kanë plotësuar dhe dorëzuar më parë deklarata të interesave private, në rast se vendosin të kandidojnë për një vend në organet e drejtësisë. Në mënyrë të qartë ky ndryshim parashikon se këta subjekte nuk kanë detyrim për të plotësuar “deklaratën e interesave private për kandidat në institucionet e sistemit të drejtësisë”, por në momentin e kandidimit do t’i nënshtrohet kontrollit të plotë, duke dalë nga skema e parashikuar nga neni 25/1 i ligjit.

2. Qartësimi i mënyrës së dorëzimit të deklaratave të interesave private me ngritjen dhe vënien në funksionim të sistemit elektronik (online) të deklarimit të interesave private. Me vendosjen në funksionim të sistemit, përparësi do të ketë mënyra e dorëzimit me anë të mjeteve elektronike dhe vetëm në përfundim të procesit të plotësimit dhe ruajtjes, nëpërmjet këtij sistemi, subjektet që mbartin detyrimin për deklarim do të printojnë dhe dorëzojnë në formë shkresore, pranë strukturave përkatëse, kopjen e deklaratës së interesave private.

3. Krijimi i mundësisë që inspektorët e autorizuar nga Inspektori i Përgjithshëm, t’i adresojnë kërkesë bankave të nivelit të dytë dhe subjekteve të tjera, që ushtrojnë veprimtari bankare dhe financiare në Republikën e Shqipërisë, për të marrë të dhëna lidhur me depozitat, llogaritë dhe transanksionet e kryera nga personat që, sipas këtij ligji, kanë detyrimin për deklarim. Ndryshimi i parashikuar i hap rrugë institucioneve private për të mos pasur asnjë pengesë ligjore lidhur me komunikimin dhe ndërveprimin, në mënyrë të drejtpërdrejtë, me inspektorët e autorizuar nga Inspektori i Përgjithshëm për ushtrimin e kontrolleve ose hetimeve administrative.

5. Hiqen afatet e mëparshme 3 dhe 5 vjeçare të parashikuara për vënien në funksionim të sistemit elektronik (online) të deklarimit të interesave private, në kushtet kur Inspektorati i Lartë është drejt përmbushjes së detyrimeve të marra përkundrejt partnerëve ndërkombëtarë USAID/Këshilli i Evropës/BE përgjatë vitit 2019. Shfuqizimi i afateve strikte 3 dhe 5 vjeçare do t’i hapë rrugën Inspektoratit të Lartë që me marrjen në dorëzim të sistemit elektronik (online) të deklarimit të interesave private, të fillojë në mënyrë të menjëhershme fazat e pilotimit, testimit, trajnimit dhe finalizimit të procesit për të gjithë subjektet që mbartin detyrimin për deklarim.

5. Hapet rruga ligjore për plotësimin për herë të parë të deklaratës së interesave private nga subjektet që mbartin detyrimin për deklarim nëpërmjet sistemit të deklarimit me anë të mjeteve elektronike.

Komento

Komente

  • Enko: 13/01/2019 14:41

    Ky eshte njeriu me i pafytyre qe mund te kete pasur ildkpi. Po ketu ska shtet se ky gjobvenes duhej te ishte ne burg. Ben dhe te ndershmin ky qe i griu njerzit nga gjobat e jeton neper vila luksoze pervete. Ah ca turpi madh.

    Përgjigju
  • Gerti: 13/01/2019 08:51

    Ildkp, me kryetar dhe inspektora sipas llogjikes se thjesht duhet minimumi te shkarkohen te gjithe dhe normalisht te dergohen te gjithe per ndjekje penale. Sepse skan raportuar asgje per asnje nga prokuroret e gjyqyaret e shkarkuar nga Vetingu. O jane te paafte o jane bashkfajtor.

    Përgjigju
  • Koli: 13/01/2019 08:11

    Ky istutocjon dhe ky drejtues është vetëm për qoka.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?