Në Kuvendin e Shqipërisë është depozituar një projektligj, i cili ndryshon ligjin për disiplinën në ushtri. Nisma ligjore zgjeron listën e sjelljeve dhe veprimeve që ndalohen në Forcat e Armatosura, duke shtuar shkelje të reja sipas kategorive dhe masat disiplinore përkatëse. Për herë të parë përfshihen si shkelje e lehtë shkrepja e armës nga pakujdesia, kur nuk shkakton dëme materiale apo lëndime njerëzore si dhe mosmirëmbajtja ose dëmtimi i armës. Ndërkaq, ka ndryshuar dhe është theksuar ndalimi i publikimit në rrejte sociale të pamjeve personale apo të çdo efektivi të Forcave të Armatosura me armatim ushtarak, simbole dhe mjete teknike ushtarake. Ndalohet gjithashtu pranimi i dhuratave ose i ndonjë përfitimi nga vartësit apo personave të tjerë në lidhje me shërbimin ushtarak.
Është përfshirë për herë të parë si shkelje e rëndë, ngacmimi në çdo formë sjelljeje të padëshiruar, ndërsa është riformuluar si shkelje shumë e rëndë ngacmimi seksual në ushtri, në formën e orvatjes së padëshiruar seksuale, kërkesa për favore seksuale dhe sjellje të tjera verbale apo fizike të një natyre seksuale, gjatë ose jashtë orarit të punës, parashikim ky për të mbrojtur gratë nga burrat e padisiplinuar në ushtri. Dy sjellje të reja ndaluese janë mosrespektimi i orarit të punës më shumë se një herë brenda një periudhe njëmujore si dhe ushtrimi i presionit ndaj vartësve për përfitime personale.
Ndërkaq, kanë kaluar në kategorinë e shkeljeve shumë të rënda përgjimi i bisedës me eprorët, vartësit dhe kolegët, për çfarëdolloj arsyeje, pa dijeninë e tyre si dhe dhënia e informacioneve me karakter ushtarak. Kanë kaluar nga shkelje të lehta në shkelje të rënda janë, mosraportimi i përdorimit të armës së zjarrit, moszbatimi i detyrave të dhëna nga eprori, prishja e qetësisë në reparte ushtarake dhe veprime që me dashje, të cilat çojnë në paaftësi fizike të vetë ushtarakut, me qëllim shmangien nga detyrat e ngarkuara.
Ndryshimet, sjelljet që ndalohen në ushtri
-Shkelje disiplinore të lehta janë:
1. Veprimi në kundërshtim me legjislacionin në fuqi për ruajtjen e administrimin e dokumenteve apo të materialeve shkresore, elektronike dhe filmike;
2. Mosrespektimi i rregullave të nderimit, sipas shkallës hierarkike;
3. Mosdeklarimi i përdorimit të barnave për arsye mjekësore, që krijojnë efekte në sjelljen ose aftësitë fizike të tij;
4. Publikimi i paautorizuar në rrjetet sociale i pamjeve personale apo i çdo efektivi të Forcave të Armatosura me armatim ushtarak, simbole dhe mjete teknike ushtarake;
5. Mosrespektimi i orarit të punës;
6. Përdorimi i automjeteve të Forcave të Armatosura për qëllime private, gjatë apo pas kryerjes së detyrës, përjashtuar rastet kur është i autorizuar për këtë gjë;
7. Përdorimi i automjeteve të Forcave të Armatosura pa dokumentacionin përkatës;
8. Përdorimi i paautorizuar i sendeve personale dhe ushtarake të ushtarakëve të tjerë të Forcave të Armatosura;
9. Përdorimi dhe shfrytëzimi i korrespondencës zyrtare për qëllime private;
10. Mosraportimi i shkeljes disiplinore;
11. Lëvizja e gabuar nga pakujdesia e teknikës ose mjetit tokësor, detar, ajror nga ushtaraku, kur nuk përbën vepër penale;
12. Përdorimi i lojërave të fatit në ambientet ushtarake, me qëllim përfitimin e vlerave monetare ose materiale;
13. Pranimi i dhuratave ose i ndonjë përfitimi nga vartësit apo personave të tjerë në lidhje me shërbimin ushtarak, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi;
14. Mosdhënia e ndihmës ushtarakëve të tjerë të Forcave të Armatosura gjatë ushtrimit të detyrës, kur vlerëson se ato kanë nevojë për ndihmë, me përjashtim të rasteve kur kjo ndihmë refuzohet;
15. Shkrepja e armës nga pakujdesia, e cila nuk shkakton dëme materiale apo lëndime njerëzore;
16. Mosmirëmbajtja dhe/ose dëmtimi i armës, municionit, teknikës, pajisjeve ushtarake të Forcave të Armatosura nga pakujdesia, që shkakton humbjen e përkohshme të gatishmërisë teknike të tyre.
-Shkelje disiplinore të rënda janë:
1. Kryerja e riteve fetare me uniformë, në institucionet fetare, jashtë ambienteve të Forcave të Armatosura;
2. Publikimi apo dhënia në media e informacioneve, që lidhen me veprimtarinë e Forcave të Armatosura, si dhe shpërndarja e dokumenteve zyrtare të paklasifikuara, në kundërshtim me procedurat e përcaktuara në aktet ligjore e nënligjore në fuqi;
3. Shprehja e kritikave publike ndaj Forcave të Armatosura, në formë shkresore, elektronike apo verbale, që cenojnë imazhin e institucionit apo personalitetin e ushtarakëve të tjerë të Forcave të Armatosura;
4. Fshehja, ndryshimi ose asgjësimi i dokumenteve zyrtare në formë shkresore ose elektronike;
5. Dhënia me dashje e informacionit të gabuar, përveç rasteve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi;
6. Shkelja me qëllim e rregullave të mbajtjes, të mirëmbajtjes, të ruajtjes dhe të përdorimit të armatimit, të municionit, të teknikës, të pajisjeve ushtarake të Forcave të Armatosura;
7. Mbajtja dhe përdorimi i armës nga ushtaraku i Forcave të Armatosura në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi;
8. Mbajtja e armëve individuale private, me leje, në ambientet ushtarake;
9. Veprime, qëndrime apo shfaqje diskriminuese në bazë etnie, fetare, race, krahine, bindjeje politike, filozofike, gjendjeje ekonomike, arsimore, sociale ose përkatësie prindërore;
10. Përdorimi i pijeve alkoolike gjatë punës/shërbimit apo në rastet kur është me uniformë, me përjashtim të aktiviteteve zyrtare;
11. Dhënia e uniformës me shenjat dhe simbolet dalluese ushtarake, dokumentit të Forcave të Armatosura ose pajisjeve të tjera ushtarake personave të tjerë;
12. Mbajtja e uniformës ushtarake në lokale nate, kazino, lojëra fati dhe në ambiente të tjera të ngjashme me këto;
13. Mungesa, mosparaqitja në shërbim/punë apo largimi nga vendi i shërbimit/punës, pa arsye të justifikuara deri në 5 (pesë) ditë, për ushtarët dhe deri në 7 (shtatë) ditë, për oficerët dhe nënoficerët;
14. Mosparaqitja në punë apo shërbim jashtë orarit të përcaktuar, kur i kërkohet nga eprorët e tij, pa arsye të justifikuara;
15. Ushtrimi i dhunës fizike të paligjshme ose tentativa për ushtrim dhune ndaj një personi tjetër, në rastet kur nuk bëhet kallëzim nga i dëmtuari;
16. Ngacmimet seksuale, në formën e orvatjes së padëshiruar seksuale, kërkesë për favore seksuale dhe sjellje të tjera verbale apo fizike të një natyre seksuale, të kryera gjatë ose jashtë orarit të punës, kur nuk përbëjnë vepër penale;
17. Shkelja e rregullave të shërbimit, kur nuk përbën vepër penale;
18. Rezistenca ndaj procedimit disiplinor ose refuzimi i kryerjes së masave disiplinore;
19. Përkrahja apo ndihma në kryerjen e një shkeljeje të përcaktuar në këtë ligj ose pengimi apo parandalimi për kapjen, gjykimin a dënimin e ushtarakut, i cili ka kryer një shkelje të dënueshme nga ky ligj;
20. Mosmarrja e masave të nevojshme për ndërprerjen e shkeljes disiplinore që po kryhet nga vartësit e tij dhe/ose për parandalimin e pasojave të mëtejshme që mund të vijnë prej saj;
21. Kryerja ose moskryerja me dashje e veprimeve a mosveprimeve në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, që përbën mospërmbushje të rregullt të detyrës;
22. Dëshmia e rreme gjatë procedimit disiplinor;
23. Mosraportimi i përdorimit të armës së zjarrit;
24. Mosrespektimi i orarit të punës më shumë se një herë brenda një periudhe njëmujore;
25. Ushtrimi i presionit ndaj vartësve për përfitime personale, kur nuk përbën vepër penale;
26. Prishja e qetësisë në njësi ose reparte ushtarake, kur nuk përbën vepër penale;
27. Moszbatimi i detyrave të dhëna nga eprori i drejtpërdrejtë;
28. Mbajtja në mënyrë të parregullt, ndryshimi ose keqpërdorimi i uniformës dhe shenjave ushtarake;
29. Ngacmimi në çdo formë sjelljeje të padëshiruar, që lidhet me gjininë e një personi dhe ka për qëllim dhe/ose sjell si pasojë cenimin e dinjitetit personal ose krijimin e një mjedisi kërcënues, armiqësor, poshtërues, përçmues apo fyes për atë person, si dhe në rastin e një trajtimi më pak të favorshëm, i kryer si rezultat i kundërshtimit ose i mosnënshtrimit nga ana e personit të cenuar ndaj një sjellje të tillë;
30. Veprime me dashje, të cilat çojnë në paaftësi fizike të vetë ushtarakut, me qëllim shmangien nga detyrat e ngarkuara.
-Shkelje disiplinore shumë të rënda janë:
1. Mbështetja e fushatës së një partie ose organizate politike apo e një anëtari të një partie politike ose të një kandidati të pavarur, duke marrë pjesë fizikisht ose duke kontribuar financiarisht;
2. Ndihma, përkrahja ose pjesëmarrja në aktivitete të organizatave politike, fetare ose jofitimprurëse, gjatë orarit të punës, në vendin e punës ose në mjetet ushtarake, si dhe në rastet kur mban uniformën ushtarake ose shenja të saj;
3. Lejimi i personave nga organizata politike, fetare apo çdo organizatë tjetër jofitimprurëse të bëjnë propagandë në ambientet e Forcave të Armatosura dhe në mjetet që ata disponojnë;
4. Përdorimi, shpërndarja apo vendosja në mjetet ose në ambientet ku shërbejnë Forcat e Armatosura e simboleve apo reklamave të organizatave, politike apo shoqërore, me përjashtim të atyre me karakter humanitar;
5. Ushtrimi i funksioneve ose mospërmbushja e detyrave që sjellin cenim të operacionalitetit, të gatishmërisë dhe të sigurisë në Forcat e Armatosura;
6. Organizimi, nxitja apo pjesëmarrja në grevë;
7. Përdorimi i substancave të paligjshme dhe i lëndëve narkotike, kur nuk përbën vepër penale;
8. Dhënia ose mundësimi i dhënies së informacioneve me karakter ushtarak, për të cilat ka marrë dijeni gjatë kryerjes së detyrës ose edhe jashtë saj në mënyrë të rastësishme, personave të paautorizuar ose medias, kur nuk përbën vepër penale;
9. Ngacmimet seksuale, në formën e orvatjes së padëshiruar seksuale, kërkesë për favore seksuale dhe sjellje të tjera verbale apo fizike të një natyre seksuale, të kryera nga eprori ndaj vartësit ose ndaj ushtarakut me gradë më të ulët, gjatë ose jashtë orarit të punës, kur nuk përbën vepër penale;
10. Organizimi i lojërave të fatit në ambientet ushtarake, me qëllim përfitimin e vlerave monetare ose materiale;
11. Ushtrimi i dhunës fizike të paligjshme ose tentativa për ushtrim dhune, sjellja fyese apo kërcënuese ndaj një personi tjetër, kur kjo ushtrohet nga oficerët aktivë me grada të larta ose madhore të Forcave të Armatosura ose kur kryhet ndaj eprorit të drejtpërdrejtë, në rastet kur nuk bëhet kallëzim nga i dëmtuari;
12. Refuzimi i zbatimit të urdhrit apo një vendimi të ligjshëm të dhënë nga eprori;
13. Mosmarrja e masave të duhura të organizimit dhe të sigurisë nga drejtuesit e njësive dhe reparteve të Forcave të Armatosura, kur kjo ka sjellë pasoja të rënda materiale;
14. Përdorimi i pajisjeve elektronike për regjistrimin dhe/ose filmimin e bisedës me eprorët, vartësit dhe kolegët, për çfarëdolloj arsyeje, pa dijeninë e tyre, kur nuk përbën vepër penale dhe përveç rasteve të parashikuara me ligj.
( Kliko këtu ) Projektligji për disiplinën në Forcat e Armatosura