Federata Shqiptare e Basketbollit ka vendosur të bëjë ndryshime të mëdha për edicionin 2023-24 që nis pas pak muajsh. Për më shumë rivalitet, FSHB ka marrë vendimin që Superliga dhe Kategoria e Parë për meshkuj të bashkohen në një garë të vetme.
Ndeshjet do zhvillohen me dy faza dhe në sistemin vajtje-ardhje. Një tjetër ndryshim pritet të jetë edhe numri i të huajve që do jenë njëkohësisht në parket. Vetëm tre do jetë numri i tyre, duke i dhënë më shumë përparësi zhvillimit të talenteve vendase.
Ediconi 2023-24 do përcaktojë edhe Superligën për sezonin 2024-24, që do rikthehet sërish me gjashtë ekipe dhe do përbëhet nga 6 skuadrat e renditura të parat në edicionin që nis pas pak muajsh.
Në lidhje me këto ndryshime, i ftuar në emisionin "Sot Live në Shqipëri" me gazetarin Andi Kapxhiu ishte i ftuar Sekretari i FSHB-së. Korab Llazani ka shpjeguar sesi do funksionojë gara dhe se pritet të regjistrohen ekipe të reja, me skuadrat që mund të jenë deri në 14-të.
"Këto ndryshime janë vendosur nga kryesia e FSHB. Një numër më i vogël të huajsh në parket, për të pasur më shumë mundësi për lojtarët vendas. Do jenë vetëm tre të huaj njëkohësisht në parket dhe dy shqiptarë. Deri tani nuk ka pasur limite. Ne kemi bërë këtë lëvizje për t'i dhënë më shumë mundësi lojtarëve tanë, njësoj si Kosova për t'i dhënë mundësi që edhe Liga Unike të jetë e unifikuar", tha fillimisht Llazani.
Më pas Sekretari i FSHB-së u ndal edhe te numri i skuadrave, që sipas tij pritet të rritet.
"Përfshirja e Superligës me Kategorinë e Parë do bëjë që edhe gjeografia të jetë më e larmishme, me një fillim të ri. Sezoni i ri do jetë me shtim të skuadrave. Partizani, Dinamo, Goga Basket do bëjnë që të shkojë numri i ekipeve deri në 13-14. Gjashtë skuadrat e para do marrin pjesë në play-off për të bërë edhe fazën pre-eleminatore. Finalja e sezonit të ri do jetë me shtatë ndeshje", tha ai.
Llazani tregoi se një vit pas kësaj skeme Superliga do rikthehet me gjashtë ekipe.
"Sezoni 2024-25? Do rikthehet me gjashtë skuadra Superliga. Nuk duam që të ketë disnivel në nivelin ekonomik, sepse basketbolli në vend nuk është i shëndetshëm. Më pas do shohim edhe cilësinë që këto skuadra do ketë në Superligë. Basketbolli është lojë që pëson shpeshherë ndryshime në rregulla, për të nxitur të rinjtë", tha ai.
Një tjetër pikë se përse Federata e Basketbollit mori këto vendime është edhe nxitja e të rinjve dhe rivaliteti.
"Të rinjtë? Jemi në prag të aktiviteteve verore evropiane dhe kemi krijuar një zinxhir që prej 2015 me femra dhe meshkuj, për të nxitur të rinjtë. Kemi një infrastrukturë shumë të varfër dhe duam që Qeveria të vendosë dorën. Skema play-off dhe rivaliteti? Do ketë rritje të interesit në play-off. Kam besim se në Fier do ketë entuziazëm, në Vlorë dhe në Elbasan po. Është Shkodra dhe Partizani që kanë pësuar lëvizje", tha Llazani.
Sa i takon trukimeve të zbuluara në basketbollin e Kosovës, Sekretari i FSHB-së tha se kush bën të tilla gjëra të shkojë para drejtësisë.
"Trukimet në Ligën Unike? Është çështje për drejtësinë, nuk besoj se do jenë të përfshirë në Ligën Unike, flitet për Ligën Ballkanike. Nuk do dëshiroja që të njollosej kjo gjë, sepse po e mbajmë me sakrifica. Nëse ka trukime, kushdo që bën të japë llogari para drejtësisë", tha Korab Llazani.