Për shkak të pandemisë COVID-19, paratë e mbledhura në 11 muaj e 2020, janar-nentor, kanë rënë me 9.1%, njoftoi Ministria e Financave. Në total nga janari në nëntor janë mbledhur 382.9 miliardë lekë, duke shënuar një rënie me 38.2 miliardë lekë krahasuar me të ardhurat e të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Kjo tkurrje është tregues se pandemia vijon të ketë impakt në ecurinë e aktivitetit ekonomik dhe të ardhurave familjare. Vetëm në nëntor janë mbledhur 35.5 miliardë lekë nga 39 miliardë lekë që u mblodhën në tetor, duke shënuar përsëri rënie pas kufizimit të orareve dhe moslejimit të grumbullimit më shumë e 10 persona për të frenuar përhapjen e pandemisë.
Edhe pse të dhënat e INSTAT treguan se niveli i papunësisë shënoi rënie, sipas tabelës së Ministrisë së Financave nga tatimi mbi të ardhurat personale janë mbledhur 29% më pak para se në 11-mujorin e 2019.
Konkretisht nga 43,3 miliardë që u mblodhën në vitin e kaluar nga ky zë në këtë vit janë mbledhur 30.9 miliardë lekë, duke u tkurrur me 12.4 miliardë lekë. Rënia e fondeve në këtë zë është tregues i rritjes së papunësisë dhe nga ana tjetër lidhet edhe me uljen e pagave, e për pasojë paguhen më pak tatime nga punëdhënësit.
Rënia e dytë më e fortë është regjistruar tek tatimi mbi fitimin, ku janë mbledhur 24% lekë më pak, nga 32,7 miliardë lekë në 2019 kanë zbritur në 24,8 miliardë lekë këtë vit me një rënie të thellë prej -7.9 miliardë lekë. Në këtë rënie ka ndikuar edhe shtyrja në kohë e pagesave të tatim fitimit për një sërë biznesesh si pasojë e pandemisë COVID-19. Po ashtu rënie është shënuar edhe tek të ardhurat nga TVSH dhe pushteti vendor.
Ndërsa nga ana tjetër shpenzimet janë rritur 23.3 miliardë lekë duke marrë përsipër edhe pasojat e pandemisë. Ndërkohë deficiti ka arritur në nivele historike rekord, në vlerën e 72.7 miliardë lekëve.