Në 2020-ën u rrit qarkullimi i parasë jashtë sistemit bankar, sekretari i Shoqatës së Bankave: Masa më të ashpra për lejet e ndërtimit

13 Shkurt 2021, 17:18| Përditesimi: 13 Shkurt 2021, 17:31

  • Share

2.8 miliardë euro ishte vlera e parave që qarkulloi jashtë bankave në vitin 2020, me një rritje të fortë krahasuar me 2019. Ky nivel për shoqatën e bankave është shqetësues, dhe lidhet direkt me informalitetin.

“Informaliteti që ka në tërësi ekonomia e cila gjeneron veprimet vetëm  në cash, sepse po të bëhen në rrugë të tjera ato do të lejnë gjurmë dhe duhen vërtetuar. Pra ka tregues informaliteti”, u shpreh Brumbulli.

Spiro Brumbulli sekretar i shoqatës së bankave thotë se duhet të merren masa më të ashpra për të parandaluar pastrimin e parave në ndërtim. Ai zbulon për Report TV se kanë kërkuar që në lejet e ndërtimit, të vendosen kushte financiare, dhe përpara se ajo të miratohet të depozitohet një pjesë e parave në bankë.

“Ai që duhet të ndërtojë duhet të depozitojë një shumë të caktuar në bankë, para se të marri lejen. Pra nëse një objekt kushton 100 milionë lekë, atëherë 50%, 40% apo 60% e vlerës, por po themi 50 milionë lekë të jetë e depozituar në bankë, pra të dihet edhe burimi pasi po i depozitove në bankë ti duhet të vërtetosh burimin, dhe kështu i japim fund gjithë tymnajës së krijuar me paratë informale dhe ato të pista, dhe nga ana tjetër sigurojmë edhe ndërtimin brenda afateve të caktuara. Pra dikush që nuk ka para nuk mund të ndërtojë. Pra dikush që ka 30 mijë euro nuk mund të ndërtojë një pallat që kushton 3 milionë euro”, pohoi ai.

Pjesë e kontrolleve të thelluara dhe që kërkon masa shtesë është edhe sektori i këmbimit valutor.

“Qoftë edhe në byrotë e këmbimit valutor duhet të lejohen në cash deri në një shumë të caktuar, nuk duhet të lejohet më shumë, përshembull deri në 3-4 mijë euro dhe jo më shumë, dhe pjesa tjetër e këmbimit të bëhet nëpërmjet llogarisë në bankë”, sqaron Brumbulli.

Aktualisht Banka e Shqipërisë po punon për ngritjen e një platformë kombëtare për sistemin bankar, me fokus avancimin e pagesave pa para në dorë, në mënyrë që të reduktohet paraja cash dhe të luftohet pastrimi i parave.

Përdorimi i cash në ekonomi:

Viti 2020                    2,8 mld euro
Viti 2019                    2,3 mld euro
Diferenca               +432.9 mln euro

E.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Lui: 13/02/2021 21:10

    Nuk e kuptoj perse ben cudi qe ka me shume para jashte bankave. Ky ishte dhe qellimi i Bankes se Shqiperise. Dmth BSH uli normen e interesit pikerisht per kete qellim. Qe paraja mos depozitohej neper banka por te kishte likuiditet ne qarkullim. Dhe normale qe mund te kete dhe abuzime ndonjehere.,

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?