Në 2022, më pak të punësuar me pagë, u rrit vetëpunësimi! INSTAT: Vitin e kaluar informaliteti në tregun e punës arriti 28%

5 Dhjetor 2023, 16:01| Përditesimi: 5 Dhjetor 2023, 16:07

  • Share

Më shumë se 50% e të punësuarve në vend nuk marrin pagë mujore, dhe kjo shifër është në rritje nga viti në vit. Tendencat e punësimit, po orientohen drejt punës në biznes familjar ose drejt vetëpunësimit.

Sipas të dhënave të INSTAT, në fund të vitit 2022 ishin 1.298.380 qytetar të punësuar, po nga këto vetëm 610.774 paguheshin me rrogë mujore. Ndërkohë rezultojnë si të vetëpunësuar 408 mijë qytetar, ndjekur 279.542 të punësuar që nuk marrin pagë pasi janë të angazhuar në biznesin familjar.

Referuar raportit ‘Shqipëria në Shifra 2022’, sektori i shërbimeve dhe ai bujqësor kanë përqindjen më të lartë të punësuarve me përkatësisht 44,2 % dhe 33,9 %, ndërsa punësimi në industri përbën 21,9 % të punësuarve gjithsej në vitin 2022.

Ndërkohë vijon të jetë prezent në shifra të larta puna në të zezë. Afro një e treta e të punësuarve në vend, punojnë në informalitet, pasi INSTAT thotë se në fund të 2022-shit 28.2% e të punësuarve ishin informal me një rritje 1.2% krahasuar me vitin 2021.

Praktikisht nëse në Shqipëri vjet numri i të punësuarve ishte 1.298.380 qytetar qytetarë, më shumë se 366 mijë ishin të punësuar në të zezë.

“Punësimi informal përfshin punonjësit jo në sektorin bujqësor, për të cilët marrëdhëniet ekonomike me punëdhënësin nuk mbulohen ose mbulohen pjesërisht nga marrëveshjet formale, si: punonjësit që nuk përfitojnë pushim vjetor me pagesë apo pushim mjekësor me pagesë në rast sëmundjeje, apo punonjësit që përfitojnë pushim vjetor të paguar dhe pushim mjekësor të paguar, por punëdhënësit e tyre nuk paguajnë kontribute për sigurimet shoqërore për ta. Gjithashtu, në punësimin informal përfshihen edhe personat e vetëpunësuar që punojnë në ndërmarrje të vogla me pesë ose më pak persona, dhe vendi i tyre i punës mund të jetë shtëpia e tyre, shtëpia e klientit/ punëdhënësit, një strukturë ngjitur me shtëpinë e tyre, një kantier ndërtimi, një tezgë fikse në treg ose në rrugë, ose jo një vend fiks”, thotë INSTAT.

Niveli i lartë i informalitetit në tregun e punës doli në pah më shumë pas daljes së databazës së pagave në fund të dhjetorit të vitit 2021, që angazhoi institucionet në një aksion anti-informalitet kundër këtij fenomeni, i cili pavarësisht ndëshkimeve dhe paralajmërimeve ndaj bizneseve, duket se nuk është frenuar.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?