Në 2023 Shqipërinë e vizituan 10.1 mln të huaj, ekspertja: Paketat turistike për këtë vit po shtrenjtohen! Turistët e huaj i kombinojnë paketat det, kulturë e histori

25 Janar, 20:46| Përditesimi: 25 Janar, 21:05

  • Share

Nga veriu në jug, Shqipëria u vizitua nga mbi 10.1 milionë turistë të huaj përgjatë vitit 2023, rekord i cili pritet të kapërcehet përsëri këtë vit.

“Presim për 2024-ën që të jetë një sezon po aq i mbarë sa edhe 2023, me një rritje të numrit të turistëve që do të vijnë në vendin tonë por gjithashtu edhe të shqiptarëve që po kërkojnë paketa për të udhëtuar jashtë vendit”, pohon Jeta Hoxha eksperte dhe drejtuese agjencie turistike.

Rezervimet për pushimet verore kanë nisur thotë ekspertja Jeta Hoxha, e cila thekson se shqiptarët nuk heqin dorë nga Turqia edhe pse këtë vit është më e shtrenjtë.

“Siç dihet shqiptarët duan pushimet me duar në xhepa. Duan paketa all-incluzive, dhe dihet që ato i kanë në Antalia në Bodrum. Ka vite që është ky trend, dhe shqiptarët kanë nisur rezervimet për të përfituar nga ofertat. Çmimet janë pak a shumë në nivelin e vitit të kaluar”, pohon ajo.

Paketa turistike e Shqipërisë këtë vit do të jetë më e kushtueshme, edhe pse jemi në javët e para dhe shtrenjtimi i dhomave të hoteleve është i dukshëm.

“Çmimet janë më të larta krahasuar me vjet. Hotelet tona kanë rritur çmimet që tani. Flasim për një rritje nga 5-7% krahasuar me vjet, por kjo rritje nuk besoj se do ti stepë, pasi dihet që turistët vijnë në vend prej çmimeve të favorshme. Turistët që vijnë në vend bëjnë një kombinim. Zgjedhin dhe plazhin por e kombinojnë me pjesën kulturore. Rezervime aktualisht ka nga Holanda, Rumania, Franca apo Italia si për pushime individuale por edhe në grupe”, pohon Hoxha.

Ekspertja thotë se mund të shpenzosh më pak nëse rezervimin e pushimeve e bën disa muaj më parë.

“Kush i lë pushimet për në moment të fundit dihet që çmimet do të ndryshojnë”, tha ajo.

Mungesa e punonjësve të kualifikuar dhe e cilësisë në shërbim mbeten shqetësim edhe për sezonin e këtij viti.

“Vjet ka pasur shumë probleme, gjëja që mungon më së shumti ka qenë profesionalizmi. Por ka nisur marrja e të huajve që kanë ardhur nga jashtë për të punuar për sezonin e verës, sepse nuk mund të përballohet fluksi”, thekson Jeta Hoxha.

Bumi turistik i vitit që lamë pas është shënjuar më së shumti nga shtetas që vinin nga Evropa Jugore sipas INSTAT, ku bëjnë pjesë shtete si Italia apo vendet e Ballkanit që dominojnë turizmin tonë.

K.M//ReportTv.al
Komento

Komente

  • asolingo: 02/02/2024 14:31

    Do ta pesojme dhe ne si greku,n.q.s risim çmimet ne kohen e turizmit te huajt dhe ne vete emigrantet do tju leme targen.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?