Sociale

Në 2024-n Shqipëria prodhoi më shumë mbetje, 360 kg/banor! Landfillet ‘shpëtim’, inceneratorët inekzistent

24 Shtator, 18:49| Përditesimi: 24 Shtator, 19:22

  • Share

Më shumë mbetje u prodhuan vjet në Shqipëri. Çdo banor prodhoi mesatarisht 360 kilogramë mbetje ose gati 9 kilogramë më shumë se në 2023-shin.

Në total vitin e kaluar sipas të dhënave të Institutit të Statistikave u menaxhuan gjithsej 862,241 tonë mbetje, me një rritje prej 2,14 % krahasuar me vitin 2023. Ndikim në shtimin e mbetjeve ka dhënë edhe bumi turistik i vitit të shkuar, që u shoqërua me konsum më të lartë.

Janë mbetjet familjare dhe të ngjashme me to ato të cilat zënë përqindjen më të lartë ose 771 mijë tonë, dhe më pas janë mbetjet plastike dhe ato prej kartoni e letre. Edhe pse volumi i mbetjeve të prodhuara po rritet vit pas viti, menaxhimi i tyre po bëhet me të njëjtat kapacitetet dhe me të njëjtën metodologji, ku depozitimi në landfille mbetet ‘shpëtim’.

“Riciklimi i mbetjeve ka mbetur pothuajse i pandryshuar, ndërsa depozitimi në landfille vazhdon të dominojë si metoda kryesore. Përbërja e mbetjeve urbane ka ruajtur të njëjtën strukturë ndër vite, me rritje të lehtë të plastikës dhe metaleve”, thotë INSTAT.

E përkthyer në shifra 76.3% e mbetjeve u depozituan në landfille, 18.8% u ricikluan dhe 4.9% u dogjën në inceneratorin e Elbasanit dhe u prodhua energji.

Për shkak të impaktit tejet të ulët të inceneratorëve në pastrimin e vendit, qeveria planifikon të ndryshojë mënyrën e menaxhimit të mbetjeve.

Në projektligjin e ri të ‘Menaxhimit të Integruar të mbetjeve’ trajtimi do të nisë nga parandalimi, ripërdorimi, riciklimi, rikuperimi, trajtimi përfundimtar. Pra pastrimi i territorit nuk do të ketë si prioritet inceneratorët por riciklimin e tyre, me qëllim përfitimin edhe prej mbetjeve, për të arritur ekonominë qarkulluese.

MBETJET E MENAXHUARA NDËR VITE
Viti 2022      820.322 tonë
Viti 2023      844.157 tonë
Viti 2024      862.241 tonë
SA MBETJE PRODHON NJË BANOR NË VIT?
2022        295 kg/banor
2023        351 kg/banor
2024        360 kg/banor
TRAJTIMI I MBETJEVE URBANE
Landfille     76,3 %
U ricikluan  18,8 %
U dogjën për energji   4,9 %
Hedhje jashtë landfillit 0,02 %

K.M/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Rruga e Dibres: 25/09/2025 09:01

    Shtypi nuk duhet te publikoje vetem statistika,por duhet ti "ballafaqoje" ato edhe me vendet e BE'se,aty ku duam te "shkojme" ....... Gjithashtu te ngreje dhe artikuloje probleme ...... Vetem dy shifra dhe gjykoni : Ne vitin 2023 (kjo gjendet),mesatarja e mbetjeve te "prodhuara" per banor ne vendet e BE'se,ishte 511 kg,POR,48 % e tyre u ricikluan !! Po Ne ku jemi ? ..... RICIKLIMI eshte problemi me i madh,i cili rrezikon shume seriozisht vendin tone,me siperfaqe relativisht te kufizuar dhe "ambicie" per Turizem ! Rruga e Dibres

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?