Foto ilustruese

Në 2025-ën do jepen 2 mln euro grant për pushtetin vendor! Bashkitë me përformancën më të mirë do të marrin më shumë para

30 Tetor, 16:45| Përditesimi: 30 Tetor, 16:54

  • Share

Afro 900 milionë euro (89.8 mld lekë) janë shpenzimet e planifikuara për pushtetit vendor në vitin 2025. Krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti bashkitë do të marrin vitin e ardhshëm 10.5 miliardë lekë më shumë. Ndërkohë transferta që 61 bashkitë do të marrin nga buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm do të jetë 43.1 miliardë lekë nga 36.5 miliardë lekë që janë të planifikuara për këtë vit.

“Në total, në vitin 2025, granti nga buxheti i shtetit për pushtetin vendor do të jetë në shumën 43.1 miliardë lekë nga 36.5 miliardë në 2024 me një rritje prej 6.6 miliardë lekësh ose me një rritje prej 18%”, thuhet në relacionin e projektbuxhetit.

Bashkive në vitin që vjen do ju jepen si transfertë e pakushtëzuar, 26.2 miliard lekë. kësaj vlere i shtohen edhe 13.2 miliardë lekë transfertë e pakushtëzuar sektoriale që shkon për arsimin, mbrojtjen nga zjarri, administrimi  i pyjeve, ujitjen dhe kullimin, rritjen e pagave apo menaxhimin e mbetjeve.

Risia e këtij viti është buxheti që do të shpërndahet në formë granti për bashkitë duke u bazuar në performancën e tyre financiare, në mbledhjen e taksave-tarifave si dhe në transparencën që kanë. Janë 200 milionë lekë (2 mln euro) që do të shpërndahen për bashkitë, përmes një udhëzimi që do të miratohet nga Ministria e Financave dhe Ministri për Pushtetin Vendor.

“Kriteret, procedurat dhe treguesit e performancës që do të përdoren për akordimin dhe shpërndarjen e këtij fondi, si dhe të drejtat e donatorëve do të përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për financat dhe ministrit përgjegjës për pushtetin vendor”, thuhet në aneksin 9 të projektbuxhetit.

Ministria e Financave vlerëson se pushteti vendor ka pasur ecuri pozitive dhe ka bërë progres pas reformës së fundit territoriale. Në relacionin e projektbuxhetit thuhet se bashkitë kanë ulur me 60% detyrimet e prapambetura nga viti 2016 deri në fund të 2023-shit, reduktim që ka vijuar edhe gjatë këtij viti. Konkretisht nga 12.1 miliardë lekë që ishin borxhet e bashkive në 2016-ën ato janë ulur në 4.2 miliardë lekë në fund të muajit qershor të vitit 2024.

Ministria e Financave thotë se fokusi kryesor në vitin e ardhshëm do të jetë tek forcimi i disiplinës financiare për të parandaluar akumulimin e detyrimeve të prapambetura në të ardhmen, të cilat mund të kthehen në një rrezik serioz për njësitë vendore, me ndikim negativ në ekonominë e vendit në tërësi.

E.Gj/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?