Mes pasigurisë globale sa i takon ekonomisë dhe lëvizjes së mallrave, bizneset shqiptare janë në territor pozitiv e me kontrata të reja porosish. Të dhënat e fundit të Institutit të Statistikave tregojnë se eksportet e produkteve shqiptare në tremujorin e parë të këtij viti u rritën me 4.7% në raport me vitin e shkuar.
Në total bizneset shitën jashtë vendit produkte me vlerë 1 miliard euro nga 950 milionë euro që ishte vlera në të njëjtin tremujor të vitit 2024. Kjo ringritje e lehtë e eksporteve vjen pas një rënie të fortë në dy vitet e fundit për shkak të zhvlerësimit të fortë të valutave.
Ndikim kryesor në rritjen e eksporteve ka dhënë tregtia e energjisë elektrike dhe të lëndëve djegëse, duke sinjalizuar për një rritje të industrisë nxjerrëse të naftës. Eksportet e këtyre produkteve u rritën me 10.8% krahasuar me vjet.
Në rritje gjithashtu janë edhe eksportet e ushqimeve me 0.9%, ku bëjnë pjesë produktet bujqësore. Afro 285 milionë euro është vlera e eksporteve të produkteve ushqimore në këtë tremujor. Grupi i tretë në rritje është ai i makinerive dhe pjesëve të këmbimit. Ndërkohë në rënie vijojnë eksportet e materialeve të ndërtimit me -6.1% si dhe ato të tekstileve me 0.6%.
Në këtë tremujor të parë të vitit ka ndryshuar edhe balanca eksport-import, pasi vlera e mallrave të blerja jashtë Shqipërisë është në rënie me 3.5%. Sipas INSTAT në total nga janari deri në mars janë importuar mallra me vlerë afro 2 miliardë euro, ku ndikim ka pasur ulja e blerjeve të materialeve të ndërtimit dhe makinerive.
Shtimi i eksporteve dhe ulja e importeve ka sjellë edhe ngushtim të deficitit tregtar nga 1.1 miliardë euro vjet në 1 miliardë euro këtë vit.
Komente
