Përballë çmimeve të larta dhe pagave e pensioneve të ulëta, burimi kryesor për përballimin e kostove të jetesës për mijëra familje në vend mbeten të afërmit që kanë në emigrim.
“Kam vajzën në Angli. Ajo na ndihmon se ne dy pleq jemi, dhe ajo ka dy fëmijët e vet. Shpenzimet e muajit i mbyllim më shumë me kursime, se kemi drita, ujë por dhe duhet të ushqehemi”, pohon qytetari.
“Na ndihmojmë se ku i dilet ndryshe, ku jetohet me 180 mijë lekë pension”, tha një pensionistë.
Situata financiare në vend, nuk mund të krahasohet me atë të shteteve të huaja, kështu shprehet një shqiptar që jeton në Boston.
“Nuk mund të them asgjë për të ardhurat, se s’dua t’ju lë me pishmanllëk që më pyetët. Nuk kanë të krahasuar standardet e jetesës”, pohon ai.
Vetëm në tre muajit e parë të vitit dërgesat e emigrantëve arritën në 242 milionë euro, nga 214 milionë euro që ishte vlera në të njëjtën periudhë vjet, duke u rritur me 13%.
“Gjatë periudhës, është vërejtur rritje e dërgesave jo vetëm në kanale formale (sistem bankar dhe operatorë të transferimit të parave), por edhe në formën e prurjeve në cash”, thotë Banka e Shqipërisë.
Ndikim në shtimin e vlerës së remitancave po jep edhe rritja e numrit të emigrantëve shqiptar. Por nga ana tjetër zhvlerësimi i euros po ndikon negativisht në këto transferta, pasi qytetarët kur bëjnë konvertimin e eurove në lekë, po marrin më pak para në dorë se vjet.