Ekonomi

Në 5 vite apartamentet në Shqipëri u shtrenjtuan me 25%, të huajt blenë 1.5 miliardë euro prona

28 Shtator, 16:26| Përditesimi: 28 Shtator, 16:31

  • Share

Vetëm 15% e pronave të shitura në 6-mujorin e parë të vitit u blenë nga të huajt, që është shifra më e ulët që prej fillimit të vitit 2023. Por, Banka e Shqipërisë thotë se fokusi i investimeve të huaja vijon të jetë tregu i pasurive të paluajtshme. Ndërkohë, çmimet e pronave vijojnë të njohin vetëm rritje.

***

Në 12 muajt e fundit çmimet e pronave kanë njohur shtrenjtimin më të madh që prej vitit 2020, kohë kur çmimet u rritën mesatarisht gjatë vitit me 44.3%, ndërsa në gjashtëmujorin e parë të këtij viti shtrenjtimi ishte 41.7%, referuar shifrave të Bankës së Shqipërisë.

Nga përllogaritjet, bazuar në vrojtimet e bankës qendrore, rezulton se shtrenjtimi mesatar i pronave në këtë 5-vjeçar është gati 25%. Pra nëse në vitin 2020, një apartament kushtonte 100 mijë euro, vlera e tij sot ka kapërcyer në 125 mijë euro.

Faktorët kryesorë, sipas ekspertëve të tregut por edhe të Bankës së Shqipërisë, janë kostot e shtuara të ndërtimit si dhe futja masive në tregun e pronave e parave të huaja.

“Kostot e ndërtimit kanë shënuar rritje shumë të lehtë. Ndryshimi vjetor në indeksin e përgjithshëm ishte 1% në tremujorin e parë të vitit 2025”, thotë Banka në raportin e stabilitetit financiar. Praktikisht kostot e shtuara janë shumë modeste në raport me çmimet e reja të apartamenteve.

Faktori tjetër, i evidentuar më së shumti vitet e fundit ka të bëjë me blerjet e banesave nga shtetas të huaj, e mbështetur edhe në vlerën e lartë të investimeve të huaja që përqëndrohet në këtë treg.

Nga Janari i këtij vitit deri në qershor, të huajt kanë blerë 253 milionë euro prona, kryesisht në Tiranë dhe në bregdet, jo vetëm për biznes por edhe për të banuar. Në 5 vite, vlera e investimeve të huaja në prona arrin në 1.5 miliardë euro.

Por edhe në këtë aspekt ka një paradoks. Vetë Banka e Shqipërisë tregon se të huajt po blejnë më pak prona në vend (si numër pronash).

“Pronat e shitura te jorezidentët zinin më pak se 15% të shitjeve të përgjithshme, nga një nivel prej 20% në gjashtëmujorin e mëparshëm”, vijon raporti.

Pra, të huajt blenë më pak prona si numër, por mund të kenë qenë më të kushtueshme, duke marrë në konsideratë faktin që kjo kategori preferon zonat më të kushtueshme të vendit.

Periudha me numrin më të madh të pronave të blera nga të huajt ishte viti 2020 sipas të dhënave të bankës, ndërsa si mesatare 5-vjeçare të huajt blenë 25% të pronave të shituara në Shqipëri.

ÇMIMET E APARTAMENTEVE SIPAS BSH
Janar-Qershor 2020                +40%
Qershor-Dhjetor 2020         +48.6%
Janar-Qershor 2021               +6.7%
Qershor-Dhjetor 2021              +9%
Janar-Qershor 2022             +39.2%
Qershor-Dhjetor 2022         +16.6%
Janar-Qershor 2023             +11.6%
Korrik-Dhjetor 2023               7.6%
Janar-Qershor 2024                    8%
Korrik-Dhjetor 2024              44.5%
Janar-Qershor 2025               41.7%
INVESTIMET E HUAJA NË PRONA
Viti 2020                     80 mln euro
Viti 2021                   191 mln euro
Viti 2022                   291 mln euro
Viti 2023                   323 mln euro
Viti 2024                   379 mln euro
Janar-Qershor 2025  253 mln euro
BLERJET E APARTAMENTEVE NGA TË HUAJT
Janar-Qershor 2020              35%
Qershor-Dhjetor 2020          36%
Janar-Qershor 2021              32%
Qershor-Dhjetor 2021           ?
Janar-Qershor 2022             13%
Qershor-Dhjetor 2022         19%
Janar-Qershor 2023             14%
Korrik-Dhjetor 2023           26%
Janar-Qershor 2024             27%
Korrik-Dhjetor 2024            18%
Janar-Qershor 2025             15%

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bregdet: 28/09/2025 16:51

    blejnë ne bregdet nuk blejne ne qytete te tjera

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?