Byroja politike 8 tetor ‘82

‘Në ’51-in Kadri, Byroja Politike ju dha masë ndëshkimore, ty dhe ca të tjerëve, sepse shkuat…’/ Debatet e Ramiz Alisë në Byro, 8 tetor ‘82

21 Nëntor 2022, 07:26| Përditesimi: 21 Nëntor 2022, 07:29

  • Share

Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, letra, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Në këtë dokument, ish-kreu i Ministrisë së Brendshme, shkruan: “Aty nga fillimi i shtatorit kur isha duke u qethur, më vjen një shofer që punon me linjat e transportit me jashtë e më thotë se, duke u kthyer nga jashtë, shoferët i kishin folur keq për fatin tim.

Nuk e pyeta se çfarë i kishin thënë, por i thashë që të shkonte e ta raportonte aty ku duhej. Ai, shtoi më hollësisht se kishte folur me shoqëruesin që rri me mua, që dhe këtë e porosita që të raportonte. Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë. Nuk e di se për këtë rast i kam thënë apo jo, shokut Hekuran. Mbas disa ditësh kur u ktheva nga një shërbim 3-4 ditor, në familjen time për të parën herë më thanë, se po na marrin në telefon e të tjera, në takime pyesin për ty, ku je e si je, sepse kemi dëgjuar gjëra jo të mira, sikur ne jemi arratisur familjarisht jashtë shtetit, sikur unë jam shkarkuar nga detyra si Ministër i Mbrojtjes, etj. Ju thashë se kushdo që pyet për ne, ju thoni jemi mirë dhe mos u fusni më tej në muhabete.

Theksoj se këto gjëra janë përhapur aq shumë saqë edhe një punëtore nga ato që shërben në familjen time, u largua pa pritur, se me mua e me familjen time, diçka po ndodh. Të gjitha këto gjëra, ja kam thënë shokut Ramiz, bashkë me mendimin tim se s’po luftohet aq sa duhet kundër këtyre parullave të dëmshme dhe se ato në radhë të parë, po përhapen nga Tirana”. Po kështu në dokumentin në fjalë ndodhet gjithashtu edhe prces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më datën 8 tetor 1982, ku është marrë në analizë “veprimtaria armiqësore e Kadri Hazbiut” që nga periudha e pas luftës kur ai ishte në funksionin e Shefit të Sigurimit të Ushtrisë, gjë e cila ka sjellë debate të ashpra, ata diskutuan të gjithë, duke filluar nga: Adil Çarçani, Hekuran Isai, Simon Stefani, Manush Myftiu, Rita Marko, Prokop Murra, Foto Çami, Lenka Çuko, Pali Miska, Besnik Bekteshi, Muho Asllani dhe Llambi Gegprifti. Madje debatet dhe tonet e forta në atë mbledhje, nuk kanë munguar edhe në mes Enver Hoxhës dhe Kadri Hazbiut, të cilat kanë vazhduar gjatë gjithë mbledhjes, prej disa seancash. Por për më shumë rreth këtyre, na njeh dokumenti, që për herë të parë publikohet nga Memorie.al

Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                                               TEPËR SEKRET

KOMITETI QENDROR

                                                    PROCES-VERBAL

I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982

        Rendi i ditës:

Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu

Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum

Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.

                  ZHVILLIMI I MBLEDHJES

Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.

Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.

SHOKU RAMIZ ALIA: Në mbledhjen e saj të datës 16 Nëntor të vitit 1951, Byroja Politike e Komitetit Qendror të PPSH-së ju ka dhënë masë ndëshkimore Kadri Hazbiut, Josif Pashkos, Mihallaq Ziçishtit, Maqo Çomos, dhe Zoi Themelit, sepse kanë pranuar që të shkojnë për darkë tek ambasadori fuqiplotë i Rumanisë në Shqipëri, pa vënë në dijeni udhëheqjen e Partisë, dhe eprorin e tyre imediat, problem ky që figuron në dokumentet e Byrosë Politike. Problemi i dytë për një gabim që ka bërë Kadri Hazbiu, si Zëvendësministër i parë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, që nuk kishte njoftuar menjëherë ish ministrin e asaj kohe Mehmet Shehun, për një informatë të zbuluar nga Sigurimi që po hetohej lidhur me qëndrimin e reaksionit i cili, synonte që të bënte një atentat kundër shokut Enver Hoxha, Byroja Politike në mbledhjen e saj të datës 16.8.1952, e kritikoi dhe i tërhoqi gjithashtu vëmendjen Kadriut.

Vetëm këto dy dokumente të Byrosë Politike janë gjetur në fondin e viteve 1949-1952 dhe që bëjnë fjalë për ty. Nuk ka asnjë material tjetër dhe ca më tepër që të bëjë fjalë, për ndonjë kontradiktë tënden ose çështje lidhur me sovjetikët, ose me këshilltarët e tyre. Për një gjë të tillë unë, nuk di gjë. Ja pra, këto ishin çështjet në të gjitha dokumentet që thua ti.

SHOKU KADRI HAZBIU: Me sovjetikët nuk e di unë, po me atë po. Edhe shoku Pilo, ma kujtoi një ditë këtë çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: Cili Pilo?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Pilo Peristeri.

SHOKU ENVER HOXHA: Po, Piloja mban mënd shumë.

SHOKU RAMIZ ALIA: Në dokumentet e Byrosë Politike, janë këto?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk e di po çështja me këshilltarin sovjetik ka ardhur këtu, dhe m’u tha se pse nuk kisha njoftuar. Unë në atë kohë, kisha mendimin tim, ndërsa ai tijin. Ne, ishim thirrur në Byronë Politike në atë kohë, dhe unë kam qëndruar në paradhomë rreth gjysëm ore derisa u konsultuan shokët. Atëherë madje kërkova që të hiqesha nga Sigurimi i Shtetit për këtë shkak dhe ky është fakt.

Çështja nuk ka pasur të bëjë me Mehmet Shehun, por me atë që këshilltari sovjetik kërkonte hollësi lidhur me një informacion. Unë i thashë shokut tonë që ndodhej atje, që të mos ja jepte këtë të dhënë pasi, ja kishim dhënë më përpara. Këtë çështje unë, e konsiderova të mbyllur por këshilltari kishte shkuar tek Mehmet Shehu dhe ishte ankuar, dhe ky më thirri mua dhe më kërkoi se pse nuk e kisha informuar me hollësi këshilltarin sovjetik, duke më tërhequr vëmendjen për mungesën e korrektësisë.

SHOKU ENVER HOXHA: E pse nuk i the Mehmet Shehut ti, që të gjitha këto i ke thënë në Ministrinë e Punëve të Brendshme?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ai, e dinte këtë.

SHOKU ENVER HOXHA: Këtë ti t’ja thoje, pavarësisht se e dinte ai meqenëse erdhi rasti që të pyeti dhe për majën e veshit. Megjithatë kjo s’ka asnjë rëndësi.

SHOKU KADRI HAZBIU: Ai, në këtë rast kërkonte pikërisht atë. Jo shoku Enver, se ne kemi ardhur në atë kohë në Byronë Politike dhe jam i bindur që ai ka ardhur posaçërisht për këtë çështje.

SHOKU ENVER HOXHA: More ja ku është dokumenti i Byrosë Politike.

SHOKU KADRI HAZBIU: Mua më kujtohet se mbledhja e Byrosë Politike, është bërë në atë kohë lart në Pallatin e Brigadave.

SHOKU ENVER HOXHA: More ti, kujtesën se ke të mirë, pasi mua më ke ardhur në Dajt dhe datën nuk e di. Kurse unë kujtesën e kam në rregull, jo për gjë tjetër por, se i kam të shkruara faktet. Ti na the se kishe ardhur në atë kohë me Mehmet Shehun, po ky nuk ishte me ty dhe ti ke ardhur me Beqir Ballukun.

SHOKU KADRI HAZBIU: Shoku Kadri Hazbiu: Nuk më kujtohet tani, shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: S’të kujtohet ty, por i kujtohet defterit që kam unë, dhe kjo është e sigurtë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Më kujtohet që ka ardhur atëherë tek ju.

SHOKU PALI MISKA: Po pse, nuk të kujtohet ty se kur vajte, dhe kur hyre.

SHOKU KADRI HAZBIU: Kur, ku vajta?!

SHOKU PALI MISKA: Po kur vajte, hyre në ndonjë zyrë?!

SHOQJA LENKA ÇUKO: Po pse mos hyre ti, në këtë rast në ndonjë zyrë dokudo?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po sa herë kam vajtur unë te shoku Enver?!

SHOKU PALI MISKA: Jo ore si s’të kujtohet, po si të kujtohet atëherë kur thua vajta?! Të kujtohet ty kjo ngjarje që çke me të.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ti thua që për shumë çështje paske pasur mendime të ndryshme me Mehmet Shehun, ndër të tjera dhe për çështjen e informimit të këshilltarëve sovjetikë, por nuk na thua se për çfarë çështjesh ke pasur kundërshtime, me kë i ke pasur këto mendime të ndryshme, dhe se ku i ke shtruar?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Dua të them edhe një gjë shoku Adil, që për të gjitha këto çështje unë mbaj përgjegjësi që jam thyer.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po mirë, pse nuk ke shkuar në Komitetin Qendror të Partisë?! Kjo që bën ti është sërish një orvatje për t’ju shmangur përgjegjësisë.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo atje thuhet që unë jam thyer (nxehet shumë sa nuk i kuptohen fjalët fare).

SHOKU ENVER HOXHA: Shiko Kadri, lëre agresivitetin këtu.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë, hë?!

SHOKU ENVER HOXHA: Ai që ka bërë faje, duhet të uli kokën. Nuk kalon agresiviteti në Byronë tonë Politike.

 

SHOKU KADRI HAZBIU: Po unë s’jam për këtë mo shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo s’je, po pikërisht je, sepse e shikoj unë sesi po përgjigjesh ti këtu, përpiqesh që të mbulosh fajet.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po është e rëndë kjo që po thuhet mo shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Po shumë e rëndë është, dhe duhet ta kuptosh që është shumë e rëndë. Dhe po nuk e kuptove këtë ti, je i mbaruar. Shqip po të flas, kështu është kjo çështje.

SHOKU KADRI HAZBIU: E rëndë është shoku Enver, se problemi po vihet këtu sikur unë kam vepruar me qëllim.

SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë atëherë, ne po mendojmë në mënyrën tonë, ndërsa ti mendo me mënyrën tënde. Por në fund, ne do të votojmë sipas mendimit tonë, dhe nuk jemi aspak dakord me ty.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë jam ashtu si do të jetë Byroja Politike, si të vendosë Partia.

SHOKU ENVER HOXHA: A, si të vendosë Partia thua me fjalë, por duhet të jesh i bindur për atë që do vendosi Partia. Se Partia, vendos kurdoherë drejt.

SHOKU KADRI HAZBIU: Se si do të vendosë Partia unë e di. Por një lutje kam këtu, që të mos cilësohem si tradhtar.

SHOKU ENVER HOXHA: Si, si?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Të mos cilësohem tradhtar. Përgjegjësia ime le të jetë e plotë.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, në këtë mënyrë unë, nuk e pranoj atë që thua. Nuk jam i bindur për këtë që shprehe “përgjegjësia ime le të jetë e plotë”.

SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, përgjegjësi mbaj unë.

SHOKU ENVER HOXHA: Nëse përgjegjësia jote është e plotë, atëherë përse ata të cilësohen si tradhtarë kurse ti jo?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Më fal shoku Enver, por ata janë tradhtarë se e kanë bërë me ndërgjegje gjithë këtë veprimtari.

SHOKU ENVER HOXHA: Po ne, nuk të vumë gjë përsipër ty, ti vetë po ja vë këtë epitet vetes tënde.

SHOKU KADRI HAZBIU: Unë po e vë, se kështu po më drejtohen pyetjet shoku Enver.

SHOKU ENVER HOXHA: Si të vihen pyetjet, që je tradhtar?!

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Nuk të tha gjë njeri për këtë.

SHOKU ENVER HOXHA: Ti Kadri Hazbiu, kërkon llogari këtu dhe po sulmon.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po përse ua dhe rusëve gjithë këto dokumente tepër sekrete atëherë?!

SHOKU ENVER HOXHA: Hë, përgjigju, përse ua dhe?!

SHOKU KADRI HAZBIU: Po ja mo shoku Enver, kështu e gjeta unë këtë praktikë, pasi e tillë ishte në atë periudhë niveli i marrdhënieve tona me ta.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Po s’është e vërtetë që e gjete ashtu, se është dokumenti.

SHOKU ENVER HOXHA: Jo, nuk e gjete aspak ashtu, por e gjete ndryshe.

SHOKU HEKURAN ISAI: Ne ta thamë dhe e lexuam atë, po ta lexojmë prapë po të duash, por në vitin 1955 janë bërë këto gjëra.

SHOKU ENVER HOXHA: Mendoj se nuk ka nevojë ta lexosh, se u lexuan njëherë ato.

SHOKU KADRI HAZBIU: Po shikojini dhe njëherë dokumentet se aty janë.

SHOKU HEKURAN ISAI: Po ja ku janë, ja ku është kjo.

SHOKU ENVER HOXHA: Vazhdo diskutimin të lutem, shoku Adil.

SHOKU ADIL ÇARÇANI: Unë mendoj që ti, në fakt ke qenë plotësisht dakord me atë mënyrë pune siç është vepruar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, lidhur me informimin e madh dhe pa kufij që u ke bërë organeve të Sigurimit sovjetik, pa dijeninë, madje në shpinë të Partisë. Për këtë ka fakte këtu, ka dokumenta, por flet edhe logjika. Nëse ka dhe çështje të tjera, ngrehu edhe fol që se keni saktë në këtë çështje, kurse neve na lejo se këtyre fakteve duhet t’ju referohemi.

Ne të kritikojmë ty se këto fakte që kanë dalë, janë shumë të rëndësishme. Ne duhet t’ju referohemi medoemos fakteve, të zezave mbi të bardhat, do t’ju referohemi dokumenteve, njëkohësisht edhe logjikës, kur shikojmë që ti nuk i thua asgjë Partisë. Thuaji të vërtetën Partisë, ashtu siç kanë ngjarë gjërat, se unë për veten time kam shumë dyshime për ty, nuk besoj në sinqeritetin tënd për këto çështje dhe s’kam si të të besoj. Prandaj do t’ju referohem medoemos këtyre çështjeve. Duke marrë parasysh shkaqet e përgjegjësisë së rëndë lidhur me këto veprime, ti bën orvatje këtu për ta ulur përgjegjësinë tënde dhe për ta ndarë me të tjerët.

Në autokritikën tënde ti përdor shpeshherë shprehjen: “i them sinqerisht Byrosë Politike”, kurse unë kam të drejtë të të them se është pikërisht mungesa e sinqeritetit që karakterizon autokritikën tënde. Ti jo vetëm që nuk e kënaq dhe nuk e ndihmon Byronë Politike, por po e bën akoma më të rëndë përgjegjësinë tënde dhe fajin si anëtar i Byrosë Politike, lidhur dhe me funksionet qendrore shumë delikate që ke pasur dhe ke. Në tablonë sinoptike, “Mbi veprimtarinë e egër armiqësore të Mehmet Shehut”, që shoku Enver paraqiti në Byronë Politike dhe në Plenumin e Komitetit Qendror të Partisë doli qartë se në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ashtu sikurse dhe në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, kishin depërtuar shumë armiq dhe agjentë të shërbimeve të huaja në vende me përgjegjësi, dhe që ishin bashkëpunëtorë të Mehmet Shehut dhe drejtoheshin nga ai për qëllimet e tij komplotuese ndaj Partisë, Pushtetit, dhe shokut Enver.

Këta komplotistë, kanë vepruar për një kohë të gjatë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, duke dëmtuar rëndë me veprimtarinë e tyre të rrezikshme, interesat e Partisë e të Popullit, në mënyra e forma nga më të ndryshmet, sipas udhëzimeve të CIA-s, KGB-së, UDB-së, etj. Kështu funksionin që u ishte besuar atyre ata, e kishin kthyer në një veprimtari agjenturore dhe komplotuese. Këta armiq të betuar, punuan për një kohë të gjatë dhe pa u diktuar edhe për vetë faktin, që gjetën një terren të përshtatshëm, sidomos në mungesën e theksuar të vigjilencës, veçanërisht për shkak të familjaritetit të sëmurë, dhe të sentimentalizmit, në radhët e kuadrove të Ministrisë së Punëve të Brendshme, duke përfshirë dhe vetë shokun Kadri Hazbiu. Memorie.al

G.MO/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?