Ekonomi

Në 6 muaj 4.7 milionë të huaj në Shqipëri! Turizmi po e ‘godet’? Euro prek nivelin 97.4 lekë në këmbim

25 Korrik, 17:55| Përditesimi: 25 Korrik, 18:02

  • Share

Shqipëria po vizitohet nga më shumë turistë se vitin e kaluar, edhe pse vrulli rritës është ngadalësuar, pasi trendi është më i ulët se në 2024-ën.

Shifrat e fundit të INSTAT tregojnë se në vend erdhën 4.7 milionë të huaj, ose 4,8% më shumë se vjet. Nga këto vetëm 4.4 milionë të huaj kishin ardhur për qëllim pushimesh apo vizita tek të afërm, nga rreth 4.3 milionë që ishte numri vjet për të njëjtën periudhë.

Pjesa dërrmuese e turistëve është nga Evropa e kryesisht nga shtetet fqinje, ndërsa në rritje është edhe numri i pushuesve nga SHBA dhe Azia. Kosova, Maqedonia e Veriut, Greqia dhe Italia, janë shtetet kryesore që duket se po mbajnë ‘gjallë’ turizmin në vendin tonë.

Pak ditë më parë Dhoma Amerikane e Tregtisë kërkoi nga institucionet të merren masa pasi turizmi i këtij viti po shoqërohet me probleme të shumta nga mungesa e ujit të pijshëm, ndotja prej mbetjeve e deri tek pluhuri i ndërtimeve që vetëm shtohen nga jugu në veri.

Në mes të sezonit vendi është përfshirë edhe nga vala e aksioneve për lirimin e hapësirave publike, duke hequr shezlongje e prishur ndërtime e kabina pa leje.

Edhe pse shifrat zyrtare flasin për konsum të ulët dhe shpenzime jo luksi nga turistët që vijnë në vend, përsëri turizmi konsiderohet si shkaktari kryesor që po dobëson valutat e huaja.

Këtë javë monedha evropiane e mbyll duke u këmbyer me 97.4 lekë, duke u zhvlerësuar me gati 4% në raport me të njëjtën periudhë vjet, kur këmbehej 100-101 lekë.

 

K.T./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si mendoni se po menaxhohet situata me zjarret?