Qytetarët dhe bizneset kanë trokitur më shpesh në dyert e bankave në gjashtë muajt e parë të këtij viti për të marrë kredi.
Banka e Shqipërisë thotë se gjatë këtyre muajve janë marrë në total gati 203 miliardë lekë ose 2 miliardë euro hua, me rritje prej 213 milionë eurosh krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Valutat e dobëta dhe interesat e ulta për huatë në monedhë të huaj, kanë tërhequr edhe më shumë kredimarrësit këtë periudhë të parë të vitit.
Gati 40% e kredisë së dhënë nga bankat në gjashtëmujorin e parë ishte në monedhë të huaj ose 806 milionë euro nga 747 milionë euro që ishte vjet.
Në ditët e sotme kur euro dhe dollari janë të zhvlerësuara përballë lekut, kreditë në valutë janë më të lira, por një rritje e shpejtë e tyre i ekspozon kredimarrësit përballë kostove të larta.
Sa i takon shtimit të kërkesës për kredi, Banka e Shqipërisë thotë se bizneset kanë marrë më shumë hua për kapital qarkullues dhe investime, ndërsa tek qytetarët dominon kredia për blerje banese dhe më pas konsumi.
Përgjatë gjashtë muajve qytetarët morën 362 milionë euro kredi për të blerë shtëpi, vlerë që është në rritje prej 87 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.
Volumi i lartë i kredisë së marrë për të blerë shtëpi përveç faktit që po rritet prej çmimeve të shtrenjta të pronave, është stimuluar edhe nga kufizimi i kredisë që do të japin bankat për blerje banese, i cili nisi të zbatohet më 1 korrik 2025.
Në mënyrë që të mos preken nga kufizimi i bërë si në vlerën e kredisë ashtu edhe në këstin mujor, qytetarët shtuan kërkesën për hua për blerje shtëpie përpara se vendimi të niste zbatimin.
Komente
