1.2 miliardë euro janë investuar nga të huajit në sektorët e ekonomisë së vendit prej muajit janar deri në fund të shtatorit. Në raport me 9-mujorin e vitit të kaluar investimet e huaja direkte janë rritur me rreth 216 milionë euro, pasi vjet gjatë kësaj periudhe ishin investuar 984 milionë euro.
Banka e Shqipërisë thotë se vetëm në tremujorin e tretë të këtij viti investimet e huaja direkte kapën shifrën 404 milionë euro, me rritje rreth 17% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Nga kjo vlerë, injektimi i kapitalit të ri në ekonomi ishte 214 milionë euro, ndërkohë që pjesa tjetër ishte fitimi i ri-investuar u zgjerua me 3%, në nivelin 201 milionë euro.
Pasuritë e paluajtshme vijojnë të rrisin pozitat e tyre në tregun e investimeve, pasi edhe në këtë periudhë vëmendja e investitorëve të huaj është përqendruar pikërisht në këtë sektor.
Sipas Bankës qendrore gjatë këtij tremujori, investimet e huaja direkte janë përqendruar kryesisht në pasuri të paluajtshme në masën 23%, sektorin e hidrokarbureve 15%, sektorin e energjetikes në masën 14%, si dhe ndërmjetësimit financiar me 10%.
Ekspertët e tregut të pasurive të paluajtshme pohojnë se zonat bregdetare po tërheqin vëmendjen e të huajve. Sinjale këto që tregohen edhe nga raportet e Bankës për blerjet e banesave ku një pjesë e madhe blihen nga të huajit.