Në 9 muaj turistët shpenzuan në Shqipëri mbi 1.4 mld euro! Në pikun e sezonit turistik, tejkalohet 2019

13 Dhjetor 2021, 08:28| Përditesimi: 13 Dhjetor 2021, 21:47

  • Share

Sezoni veror i këtij viti ka qenë më fitimprurës se ai i vitit 2019. Të dhënat flasin që në pikun e turizmit korrik-shtator, turistët që kanë ardhur në Shqipëri kanë harxhuar 786 milionë euro, nga 782 milionë euro që u shpenzuan në vitin më të mirë atë të 2019-ës.  Edhe pse rritja është e lehtë dëshmon se lehtësimi i masave kundër COVID-19, ka dhënë ndikim pozitiv në këtë sektor.

Në total për 9-mujorin sipas Bankës së Shqipërisë, të huajit kanë shpenzuar për udhëtime në vendin tonë 1.4 miliardë euro, duke u rritur ndjeshëm në raport me 2020, kur gjithë vitin u shpenzuan vetëm 986 milionë euro, por ende nuk janë arritur shifrat e 2019, kur të huajit shpenzuan në Shqipëri në total mbi 2 miliardë euro.

Ndërkohë nga ana tjetër, teksa Shqipëria gjatë sezonit veror ishte nën sloganin, “COVID FREE”, shumë vende të Evropës ashpërsuan masat, për pasojë shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit ishin përsëri të kushtëzuara, dhe dera më e sigurt ishte Turqia.

Në total në 9 muaj, qytetarët shqiptar kanë harxhuar 801 milionë euro, ndërsa në 2019 për të njëjtën periudhë kishin shpenzuar mbi 1.2 miliardë euro

“Shërbimet e udhëtimit u mbyllën me suficit prej 385 milionë euro, kundrejt atij prej 133 milionë euro një vit më parë. Të ardhurat dhe shpenzimet nga shërbimet e udhëtimeve u dyfishuan në terma vjetorë. Kjo ecuri është pasojë direkte e rritjes së fluksit të udhëtarëve, gjatë sezonit turistik”, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë.

Ndërsa sipas të dhënave të INSTAT në total deri fund të tetorit në Shqipëri kanë hyrë 5.1 milionë shtetas të huaj, duke u rritur me 2.2 herë në raport me 2020. Ndërkohë në 2019 në dhjetë muaj në Shqipëri kishin hyrë 5.8 milionë turistë.

 

SHPENZIMET NË SHQIPËRI

Viti 2021        1.473 mld euro

Viti 2020           986 mln euro

Viti 2019        2.083 mld euro

 

SHPENZIMET NË SHQIPËRI

Viti 2021         801mln euro

Viti 2020         667 mln euro

Viti 2019      1.582  mld euro

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?