Armando Broja pritet të rikthehet te Chelsea në fund të sezonit, pasi periudha e huazimit të tij te Evertoni po shkon drejt përfundimit. Sipas mediave britanike, Everton nuk ka në plan të aktivizojë ndonjë ofertë për blerjen e kartonit të sulmuesit shqiptar, i cili nuk ka mundur të lërë gjurmë në Premier League këtë sezon, i penguar edhe nga dëmtimet.
Nga ana tjetër, Chelsea nuk e sheh më Brojën si pjesë të projektit të ardhshëm dhe sipas “BBC Sport”, drejtuesit e klubit londinez nuk janë të interesuar për një tjetër huazim. Qëllimi i tyre është ta shesin përfundimisht 23-vjeçarin në afatin kalimtar të verës.
Broja, i cili ka kontratë me Chelsean deri në verën e vitit 2026, ka kaluar katër huazime që prej debutimit me ekipin e parë. Huazimi te Everton ishte i fundit në një seri të gjatë dhe gjithçka tregon se aventura e tij me "Blutë" është pranë fundit.
Tani mbetet për t’u parë se cili do të jetë destinacioni i radhës për sulmuesin e kombëtares shqiptare, ndërsa merkatoja e verës pritet të sjellë zhvillime të rëndësishme për të.
Komente
