Futbolli ka bashkuar Argjentinën. Kampionët e botës do luajnë ndeshjen e parë pas suksesit në Botërorin e Katarit, teksa miqësorja me Panamanë ka thyer rekorde të reja në vendin e Amerikës Latine. "SportMediaset" në Itali bën me dije se në stadiumin "Monumental" (River Plate) në Buenos Aires do jenë 83 mijë tifozë, me kërkesat për bileta që kanë qenë më shumë se 10-fish.
Afro 900 mijë argjentinas kanë dashur të ndjekin nga pranë ekipin kombëtar që është kampion bote, teksa Federata e Futbollit në Argjentinë ka pasur 130 mijë kërkesa nga gazetarët për akreditime. Në një stadium me 334 vende për gazetarët, interesi edhe nga jashtë vendit ka qenë i madh për të parë Messin me shokë në ndeshjen e parë pas trofeut të Kupës së Botës.
Duket se mëngjesin e së premtes (me orën shqiptare), kryeqyteti i Argjentinës do bllokohet sërish, duke u përsëritur festa për trofeun e Kupës së Botës dhjetorin e shkuar. Biletat për të parë skuadrën Albiceleste kushtonin nga 60-250 euro dhe u shitën në kohë rekord.
Bileta më e shtrenjtë kushtonte më shumë se gjysma e pagës mesatare në vendin e Amerikës Latine, me Argjentinën që është prekur nga kriza financiare për shkak të inflacionit në rritje.
Presidenti i Federatës së Futbollit, Claudio Tapia pranoi se “çmenduria për Argjentinën është totale” dhe se miliona tifozë që mbetën pa biletë do ta ndjekin ndeshjen drejtpërdrejt në televizion, duke qenë se është vendosur që ajo të transmetohet pa pagesë.
Nga ana tjetër, trajneri i Argjentinës, Scaloni tregoi se shumica e lojtarëve që do jenë në fushë janë ata të finales së fituar kundër Francës në "Katar 2022".