Kadri Hazbiu dhe Enver Hoxha

Dosje

‘Në arrestimin e armikut të Partisë, Kadri Hazbiu, do marrin pjesë shokët dhe ai do dërgohet me…’/ Zbulohet dokumenti i rrallë i Sigurimit për ish-ministrin

17 Shtator, 08:06| Përditesimi: 17 Shtator, 08:08

  • Share

Plot 43 vjet më parë, më 15 tetor të vitit 1982, u arrestua ministri i Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (nga viti 1953 e, deri në 1979-ën, ai kishte mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme), i cili pas disa mbledhjeve maratonë të Plenumit të Komitetit Qendror të PPSH-së dhe Byrosë Politike, të zhvilluara në periudhën shtator-tetor të atij viti, vetëm një javë më parë, pra më datën 8 tetor 1983, në mbledhjen e sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, (ku ishte i ftuar dhe kryeministri Adil Çarçani), me propozim të Enver Hoxhës, Hazbiu ishte shkarkuar nga të gjitha funksionet partiake dhe shtetërore që ai kishte mbajtur deri në atë kohë.

Në të vërtetë, arrestimi i Kadri Hazbiut, nuk ishte shumë i papritur, as për efektivët e ministrisë së Mbrojtjes Popullore dhe asaj të Brendshme e, udhëheqjen e lartë të PPSH-së, dhe as për për opinionin publik, pasi pothuaj prej fillimit të vitit 1982, kudo në popull “ziente” dhe përflitej dendur emri i tij! Madje u hapën fjalë se ai, (Hazbiu), ishte arratisur me një avion luftarak, jashtë Shqipërisë, siç kishte tentuar por pa sukses, ish-homologu i tij kinez, Lin Biao, në vitin 1971.

Zanafilla e goditjes së Kadri Hazbiut nga ana e Enver Hoxhës, e kishte shtysën pas ngjarjes së datës 18 janar të vitit 1981, kur kryeministri Mehmet Shehu, u gjet i vdekur me plumb(a) pistolete në dhomën e tij të gjumit, gjë e cila në muajt në vijim, do të sillte një sërë pasojash për pjesën më të madhe të bashkëpunëtorëve të ngushtë të tij, ku Kadri Hazbiu ishte njëri prej tyre.

Madje Hazbiu konsiderohej si njeriu më i afërt dhe miku më i ngushtë i ish-kryeministrit Shehu, edhe pse faktikisht, Hazbiu u arrestua i fundit nga të gjithë ata që u akuzuan si “bashkëpunëtorë të armikut dhe poli-agjentit Mehmet Shehu”, pasi para tij, ishin arrestuar: ministri i Brendshëm, Feçor Shehu, ministri i Shëndetësisë, Llambi Ziçishti, ministri i Punëve të Jashtme, Nesti Nase, ish-zv. ministri i Brendshëm, Mihallaq Ziçishti, etj.

Edhe pse menjëherë pas ngjarjes me Mehmet Shehun, në janarin e vitit 1982, “ylli i fati” të Kadri Hazbiut, ishte në ngjitje, pasi Enver Hoxha në një nga mbledhjet e Byrosë Politike, i propozoi zyrtarisht postin e kryeministrit (në vend të Mehmet Shehut, tashmë i vdekur dhe i shpallur armik), gjë të cilën Hazbiu nuk e pranoi, duke sugjeruar që atë detyrë mund të bënte më së miri Adil Çarçani.

Faktikisht, edhe propozimi i Enver Hoxhës për ta emëruar Hazbiun kryeministër, nuk ishte i papritur, jo vetëm për udhëheqjen e lartë, por as për opinionin publik (të paktën për ata që ndiqnin më vëmendje zhvillimet politike në vend, përtej asaj çka thuhej në shtyp e Radio-Televizion), pasi një ditë pas mbarimit të Kongresit të 9-të të PPSH-së, në nëntorin e vitit 1981, në mitingun përmbyllës të zhvilluar në Sheshin “Skënderbej”, fjalën kryesore e mbajti Kadri Hazbiu, gjë e cila “u përkthye” nga të gjithë, se ai do ishte kryeministri i ardhshëm i vendit. Kjo, duke pasur parasysh, edhe situatën ku ndodhej Mehmet Shehu nga shtatori i atij viti, pas fejesës së djalit të tij, me mbledhjet maratonë të plenumit të Komitetit Qendror dhe Byrosë Politike, ku i kërkohej llogari, se përse e kishte lejuar atë gjë!

Por, vlerësimi që i kishte bërë Enver Hoxha ministrit të Mbrojtjes Popullore dhe anëtarit të Byrosë Politike, Kadri Hazbiu, duket se u “harrua” dhe filloj të zbehej në muajt në vijim, pasi siç theksuam edhe pak më lart, që në fillim të ’82-it, kudo në popull u përhapën fjalë se; “Kadri Hazbiu ishte arratisur nga Shqipëri me një avion luftarak”, gjë e cila konfirmohet edhe nga disa dokumente arkivore të botuara pas viteve ’90-të, ku një nga njerëzit që ia kishte thënë Hazbiut atë gjë, ishte dhe berberi i tij, i Klubit të Ministrisë së Punëve të Brendshme!

Por, ndërsa të gjitha këto fjalë që qarkullonin asokohe për ministrin Hazbiu, u konsideruan nga Partia si “thashetheme që i përhapte armiku”, ceremonitë e mëdha jubilare të zhvilluara në festën e Pezës në datën 16 shtator të atij viti, (40 vjetori i Konferencës së Pezës), treguan se ato që thuheshin për Kadri Hazbiun, nuk ishin thjesht thashetheme? Pasi të gjithë ata që e ndoqën atë festë nga kronikat e lajmeve në Radio-Televizionin Shqiptar, e vunë re se; në prezantimin që iu bë personaliteteve të udhëheqjes së lartë të PPSH-së dhe qeverisë shqiptarë në tribunën e asaj feste, Kadri Hazbiut, nuk iu përmend fare, funksioni si ministër i Mbrojtjes Popullore?!

Gjë e cila jo vetëm do të shkaktonte reagimin dhe irritimin e e menjëhershëm të Kadri Hazbiut, që aty në tribunën e festës, por ai do ankohej për atë gjë, edhe zyrtarisht në Komitetin Qendror, për Prokop Murrën, i cili kishte mbajtur fjalën hapëse të asaj feste dhe kishte “harruar” që të thoshte funksionin e Hazbiut si ministër i Mbrojtjes!

Por, (që përpara përvjetorit të Konferencës së Pezës), si për ta qetësuar Kadri Hazbiun, se ato që fliteshin për të “ishin thjesht thashetheme që i përhapte armiku”, shërbeu edhe një telegram i Enver Hoxhës, dërguar Hazbiut më 15 gusht 1982, me rastin e ditëlindjes së tij, ku ai (Enveri), i drejtohej me superlativa ministrit të Mbrojtjes, duke mos kursyer asnjë lëvdatë për të! Ndërsa në familjen e Kadri Hazbiut dhe rrethin e afërt familjar të tij, ai telegram i udhëheqësit kryesor të Partisë u konsiderua si një “dhuratë nga qielli”, vetë Hazbiu, thuhet se u mërzit keq, pasi që aty parashikoi fundin e tij. Pasi ai (Hazbiu) më mirë se askush tjetër e dinte, që ajo ishte një metodë apo taktikë tashmë e njohur e Enverit, kur para se të godiste njeri, e lavdëronte për ta vënë në “gjumë”!

Kështu kishte bërë që me Koci Xoxen, kur e zëvendësoi me njeriun më të afërt të tij, (Nesti Kerenxhin, të cilin e përdori për të goditur dhe akuzuar Xoxen), për të ardhur 30 vite më pas me Beqir Ballukun, që fillimisht lavdëroi dhe “ngriti në qiell”, për besnikëri ndaj Partisë, Petrit Dumen dhe Hito Çakon, të cilët pasi i përdori për të akuzuar Ballukun, gjithashtu i dënoi më pas me vdekje! Por, kësaj loje të Enverit me bashkëpunëtorët e tij kur i dënonte, nuk i shpëtoi as vetë Kadri Hazbiu, të cilin Enveri fillimisht e propozoi për kryeministër, duke e përdorur në goditjen dhe akuzat ndaj ish-kryeministrit tashmë të vdekur, Mehmet Shehu.

Duket se Kadri Hazbiu atë gjë, pra lojën e Enverit, do ta kuptonte në ceremoninë e festës së Pezës, por tashmë ishte shumë vonë. Vetëm një muaj më pas, pikërisht më 15 tetor 1982, ai u arrestua në oborrin e vilës së tij (ndodhej aty ku sot është “Piramida”) ngjitur me ambasadën vietnameze dhe godinën e Drejtorisë së Dytë të Sigurimit të Shtetit (Drejtoria për Ruajtjen dhe Sigurinë Fizike të Udhëheqjes, me kryetar Raqi Ifticën), nga ku ai survejohej 24 orë, javën e fundit para arrestimit!

Ndërsa sa më sipër janë gjëra pak a shumë të njohura, (si me dëshmi nga persona që kanë pasur lidhje me këto ngjarje, apo dhe me dokumente arkivore të publikuara pas viteve ’90-të), në këtë shkrim po publikojmë një dokument arkivor, ku tregohet qartë se si u realizua arrestimi i Kadri Hazbiut dhe kush ishin personat tepër të besueshëm (djem të udhëheqjes së lartë dhe bij “Heronjve të Popullit” etj., që iu besua ajo gjë!

Si dhe një dokument tjetër, ku flitet për situatën që mbizotëronte në familjen Hazbiu, pak para arrestimit të tij, më 15 tetor të vitit 1982, si dhe porositë e fundit që ai i kishte dhënë familjarëve të tij dhe amanetin, “që një ditë t’ja gjenin varrin, t’ja mblidhini kockat dhe t’ja çonin në fshatin e tij”! Për më shumë rreth këtyre, etj., na njohin këto dokumente arkivore të nxjerra nga arkivi i Ministrisë së Brendshme (tashmë pjesë e fondit të Autoritetit për Informimin e Dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit), që publikohen për herë të parë bashkë me faksimilet përkatëse, nga Memorie.al

DOKUMENTI ARKIVOR SEKRET, I MIRATUAR NGA MINISTRI I BRENDSHËM HEKURAN ISAI DHE I HARTUAR NGA ZV. DREJTORI I DREJTORISË SË HETUESISË PELIVAN LUÇI E, PËLLUMB KAPO, ME PLANIN PËR ARRESTIMIN E KADRI HAZBIUT

M I R A T O H E T                                                          S E K R E T

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME                         Ekzemplar i vetëm

HEKURAN ISAI                                                               Tiranë, më 15.10.1982

                                                 PLAN ARRESTIMI

Në Tiranë, më 15.10.1982, me miratimin e Prokurorit të Përgjithshëm të RPSSH-së, do të bëhet arrestimi i armikut Kadri Hazbi Dautaj.

Në arrestimin e tij, do të marrin pjesë këta shokë:

Hetues Luan Bega

Ylli Birçe

Asllan Ulqinaku

Hasan Ulqinaku

Arrestimi do të kryet në shtëpinë e tij dhe do të transportohet me automjetin “ARO”, me shofer Fadil Zela.

Në kontrollin e banesës, do të marrin pjesë këta shokë:

Bashkim Caka

Ferid Sula

Kiço Petro

Ylli Birçe

Hasan Ulqinaku, si dhe dy dëshmitarë të pranishëm nga Këshilli Popullor i Lagjes Nr. 1.

ZV. DREJTORI I DREJTORISË SË HETUESISË    

PELIVAN LUÇI                  PËLLUMB KAPO

DOKUMENTI ARKIVOR SEKRET ME RELACIONIN E PUNËTORIT OPERATIV TË DEGËS SË BRENDSHME RRËSHEN, MIHAL MONKA, LIDHUR ME MATERIALET NE NGARKIM TË PETRIT HAZBIUT

                                                               S E K R E T

                                                               EKZEMPLAR NR. 1

RRËSHEN, MË 5.3.1983

R E L A C I O N

MBI MATERIALET NË NGARKIM TË PETRIT HAZBIUT

Petrit Hazbiu është i biri i Kadriut dhe Hedijes, lindur më 1954 në qytetin e Tiranës, banues në qytetin e Kurbneshit të rrethit Mirditë, rrjedh nga një familje nënpunës i pushtetit popullor, me arsim të lartë, i shkurorëzuar, me një fëmijë, i paorganizuar, i internuar në qytetin e Kurbneshit të rrethit Mirditë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare.

I përmenduri ka mbaruar arsimin e lartë në UT, ka punuar inxhinier arkitekt në Institutin e Projektimeve Nr. 1 në Tiranë, ka qenë i martuar me Dhurata Iljaz Fishtën, e cila ka lindur në Tiranë në vitin 1956 e është mësuese në Liceun Artistiok “Jordan Misja”, ka bërë ndarjen martesore më datë 3.2.1983, kanë një vajzë që quhet Alvana, lindur në vitin 1981, të cilën e ka marrë në ngarkim e ëma.

Petriti ka ardhur në qytetin e Kurbneshit më datë 18.10.1982, të Komisionit të Internim Dëbimeve, janë internuar për 5 vjet kohë, si pjesëtar i familjes së armikut të Partisë Kadri Hazbiu. Aktualisht Petriti punon punëtor në minierën e bakrit Kubnesh. Gjatë kohës që ka qenë në Tiranë, është karakterizuar si kapadai dhe mendjemadh.

Sipas një informacioni të përgjimit telefonik, Nr. 927, datë 15.10.1982, Petrit Hazbiu bisedon në telefon me një grua me emrin B…. që i thotë: “B…., unë dy nga këto sahate gjej, ai tjetri është jashtë i mbyllur, kështu që ka një dorezë që hapet, ku di unë si ta hap, tani do të them numrat; 4.6.7.6.2 dhe tjetri; 0.2.1.1.8.0.4, kaq janë këto të dyja, atë tjetrin t’i venë vetë ata të NISH-Elektrikut, ata vijnë zakonisht.

Bashkëpunëtori “Vëzhguesi” i Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, më datë 26.11.1982, raporton se; kam mësuar nga Sa….K….., (S….K…., inxhinier në Ndërmarrjen e Mjeteve Mësimore, në 2/A si agjent i mundshëm i Zbulimit Sovjetik), se i biri i Kadriut, i ka thënë disa shokëve të tij në zbor, pa përmendur se cilin nga djemtë, se ai, i ati, para se të arrestohej, u paska thënë se; përveç mungesës së vigjilencës, nuk ka faj tjetër, por e di se do ta pësoj rëndë, e dinë se çfarë e pret, prandaj u lënë amanet fëmijëve, që ta kërkojnë dhe ta gjejnë varrin, t’ja mbledhin kockat dhe ta çojnë në fshat, duke i këshilluar që të rrinë urtë dhe të jenë të sjellshëm e, e të bëjnë ç’ju thonë.

B.P. “Shkëlzeni”, më datë 22.1.1983, raporton se: “Rreth orës 16 e 20 minuta të datës 20.1.1983, në takimin e rastit që ka bërë me Petrit Hazbiun, ky i fundit i ka thënë se; babai ka faj, ne nuk kemi faj, puna është shumë e vështirë dhe nuk kalohet, e ta di se qëndroj më tepër se 5 vjet, do të vras veten”.

Petriti është marrë në përpunim paraprak më datën 9.2.1983, për agjitacion e propagandë dhe lidhje e armikut të Partisë Kadri Hazbiu. Për zbulimin në thellësi dhe gjerësi të veprimtarisë së tij armiqësore, është bërë plani i masave agjenturore-operative, e janë përcaktuar detyrat, gjatë kësaj kohe janë bërë 5 përgjime me T.O. në banesat e tyre, si në datat 2.2.’83, 3.2.’83, 12.2.’83, 18.2.’83 dhe 26.2.’83.

Nga informacionet e T.O., del se kryesisht kanë zhvilluar biseda të thjeshta, pa prekur çështje me karakter politik, bisedojnë dhe flasin për veprime, probleme shtëpiake, nuk e kanë përmenduar asnjëherë të këtyre pesë rasteve, emrin e armikut Kadri Hazbiu. Në përgjimin me T. O. të datës 3.2.’83 në mbrëmje, pas kthimit prej gjyqit të ndarjes nga e shoqja, Dhurata dhe të motrës së tij, Mimozës, nga i shoqi, Agron Aranitasi, që bëhet në Rrëshen, nga informacioni i T. O. del se të 5-të pjesëtarët e familjes tregojnë korrektesë e parimorë, bëjnë biseda moralizuese, si p.sh. Helena, duke qarë thotë: “Aman more, se ne nuk jemi bërë armiq me Partinë”, kurse Petriti; “Po s’je bërë, shumë mirë që s’je bërë dhe s’duhet që të bëhemi armiq, kështu është, e përse të bëhemi armiq”?!

Nga informacioni del se e ëma e pyet Petritin; e çfarë tha ndonjë gjë nusja për vajzën; Petriti u përgjigj se tha që sa e urtë është, nuk ndihet fare, as qan dhe as luan, kur të mërzitesh më tha, unë ta sjell”.

B.p., “Shkëlzeni”, më datë 10.2.1983, raporton se Petrit Hazbiu më datë 1.2.’83, ka takuar para restorantit të qytetit të Kurbneshit me Ba….M….V….e ka biseduar rreth dy minuta dhe më pas ka hyrë në një pallat e ka qëndruar rreth pesë minuta, mbas pak ka shkuar në dyqanin e zarzavateve dhe aty qëndroi pak dhe iku.

Më datë 10.2.’83, Petriti në dyqanin e zarzavateve ka takuar me D….Ba….P….! (D….është dënuar me 18 vjet heqje lirie për përvetësim të pasurisë socialiste, aktualisht është punëtor në minierën e bakrit Kurbnesh) dhe është shprehur se; nuk qenka gjë kjo punë, paska shumë njerëz, po iki në shtëpi dhe po vij më vonë.

Në drejtim të Petritit është drejtuar B.p. “Shkëlzeni”, B.p. “Jupiteri”, lidhje shoqërore e Agronit, i tërhequr kohët e fundit, është bërë plani i përbashkët i masave agjenturore-operative me Degën e Punëve të Brendshme Pukë dhe Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, për zbulimin e thellimin e veprimtarisë armiqësore të këtyre elementëve./ Memorie.al

Punëtori Operativ

Mihal Monka

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap tjetër grupkapitull me BE-në, si iu duket ritmi i negociatave?