Një 33-vjeçar ka rënë në prangat e policisë ditën e sotme në Fier, pasi u kap me dy mina me telekomandë në makinë, me qëllimin për t'i shitur.
Me një njoftim për mediat, Policia bën me dije se është arrestuar Elton Jata, banues në Pezë, të cilit në mjetin tip "Benz" me të cilin po udhëtonte, iu gjetën 2 elektrodetonatorë të montuar në brendësi të lëndës plasëse të lidhur me celularë, të gatshme për shpërthim të kontrolluar.
Nuk dihet ende se me cilat persona kishte komunikuar 33-vjeçari për t'i shitur minat.
Arrestimi i tij erdhi si rezultat i finalizimit të operacionit "Porosia", të kryer nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Fier, në bashkëpunim me forcën e posaçme "Shqiponjat".
Vijon operacioni për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale "Trafikimi i lëndëve plasëse, djegëse, helmuese dhe radioaktive'", njofton policia.