TIRANË- Në këtë 9 dhjetor të zhurmshëm reflektorët e jetës artistike, u kthyen pas në kohë, për të fokusuar Festivalin më të bujshëm të Këngës shqipe, atë të vitit 1972. Në një djep solid të memories, siç është Bunk’Art përkunden këngët e kënduara 47 vite më parë, kur në një moment u duk se liria ngriti krye. Në këtë mbrëmje të ftohtë dhjetori, artistë të rinj e personalitete të skenës mëkuan sadopak vuajtjet e dënimet e Plenumit të Katërt, duke dhënë një mesazh shprese: “ATA, s’mundën ta vrisnin shpresën, artin, këngën, ngjyrat”.
E kaluara dhe e tashmja qëndrojnë në këtë skenë të improvizuar krah për krah, për të treguar se ajo “liri” e cilësuar si kontrabandë nga udhëheqësi triumfoi. Bujar Kapexhiu rimerr rolin e prezantuesit e në vend të artistes “avangardë” Edi Luarasi qëndron këngëtarja Marsela Çibukaj.
“Është kënaqësi që jemi sot këtu përpara jush. Interesante, të njëjtat fjalë kam thënë 47 vite më parë”, shprehet Bujar Kapexhiu.
Ritmi, elementët bashkëkohorë, ato fjalë dashurie që shërbëtorëve të përunjur të oborrit iu dukën teprica të turpshme, sfidojnë një gjysmë shekulli e qëndrojnë pezull në shpirtin e njeriut si të pakoha. Gati, gati duket se zbusin rënkimet e historive të përvuajtura të artistëve që guxuan.
“Do të doja që mos të largohem nga kjo skenë, pa dëgjuar një duartrokitje të fortë për regjisorin e famshëm edhe të talentuar Mihal Luarasi”, thotë Kapexhiu.
Shumë prej atyre që përtypën përgjatë jetës ato kafshata të hidhura të mungesës së lirisë, të burgut, internimit, degdisjeve në vise të largëta nuk jetojnë më. Arti që lanë pas flet për ta, për regjisorin Mihallaq Luarasi, për kantautorin Françesk Radi, për kompozitorin Aleksandër Lalo, për Gaspër Çurçinë…
“Kush mund ta imagjinonte që këto 20 këngë do të lexoheshin si një kërcënim për themelet e regjimit komunist. Kush mund ta mendonte se të gjithë elementët e këtij festivali do të cilësoheshin si tendencioze për stilin e qartë perëndimor”, shprehet Marsela Çibukaj.
E të tjerë që e përjetuan këtë Festival të kobshëm, ishin në këtë mbrëmje të parë, për të dëshmuar histori, kulturë, art, këngë zemre. Nga operatori Beqir Derhemi, e këngëtarja Liljana Kondakçi, që riktheu “Mozaik tingujsh, mozaik ngjyrash”. Të gjithë artistë që e kanë ndjerë në lëkurën e tyre mizorinë e atij sistemi.
Ndërsa, këngëtarët e tjerë, si Eranda Libohova, Altin Goci, të rinjtë Bledi Polena e Tiri Gjoci, kënduan sot këngët e tyre, këngët “e ndaluara”, si “Përshëndetje” e Petrit Dobjanit, “Vajza edhe kompozitori” e Suzana Qatipi, apo “Cila stinë të pëlqen” e Valentina Gjonit edhe tek “Duart e tyre” të interpretuar nga Sherif Merdani.
Kantautori Alban Skënderaj i pranishëm në këtë mbrëmje të pazakontë, rrëzon perden e dykohësisë, e vendos veten në vend të kolegëve...
“Ky është një event shumë interesant sidomos për brezin tonë, mua prindërit më kanë fol shumë, se si këngët u bën hit jo për një vit, por për gjithmonë. Këta artistë janë heronj, ndoshta edhe martirët e vërtetë të muzikës shqiptare, prandaj si të tillë duhet kujtuar edhe respektuar gjithmonë”, shprehet kantautori Alban Skënderaj.
Mungojnë ende dy mbrëmje të tjera, për të plotësuar ciklin e kujtesës, për këtë ngjarje sa artistike po aq edhe njerëzore. Ende nuk është kënduar “Natën vonë”, kënga që Vaçja do të linte përgjysmë gjatë Festivalit, apo “Udhët janë të bukura” të Lindita Sotës, për të cilën të gjithë ishin bindur se do të ishte fituesja. Këtyre mbrëmjeve, në datë 10 dhe 11 dhjetor që thërrasin “Liberta” në Bunk’art 1 përmes artit, s’do t’u mungojë as zëri i artistit italian Albano Carrisi.
Qyl e keni ngrënë atëhere qyl po e hani edhe tani. Asnjëri nga ju nuk i ka bërë duart me kallo dhe asnjëri nuk është djersitur duke bërë art. Spiunë të njëri-tjatrit ishit atëherë faqezinj-delenxhinjë-sahanlëpirës jeni bërë sot. Normalisht ka edhe përjashtime, ka edhe ARTISTË.
Përgjigju