Ish-kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla kundërshton vendimin e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Kjo e fundit caktoi ndaj tij masën e sigurimit "arrest me burg" për një tender me vlerë mbi 2.8 milion euro, me akuzën e "shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Mbrojtja e Allës pretendon se akuza e shkeljes së barazisë në tendera e ngritur nga SPAK është e pabazuar dhe në shkelje të ligjit.
Gjyqtarja e Apelit të Posaçëm Saida Dollani do të vendosë nëse do e pranojë kërkesën e të pandehurit apo jo. Ndërkohë, seanca pas shortimit të gjyqtares, është caktuar të mbahet këtë të premte në orën 09:30 pranë Apelit të Posaçëm. Lefter Alla ra në pranga në mesin e muajit të kaluar, bashkë me 12 persona të tjerë, dy prej të cilëve u lanë në arrest shtëpie, zyrtarë të Bashkisë së Bulqizës apo përfaqësues të biznesit që përfituan tenderin.
Lefter Alla është shkarkuar nga detyra nga kryeministri Edi Rama, për shkelje të rënda, pas arrestimit nga SPAK për abuzimet me tenderat publike, duke favorizuar kompanitë e të afërmve të tij.
Bashkë me 12 persona të tjerë, 7 prej tyre zyrtarë të bashkisë, ranë në pranga për abuzim me një tender me vlerë rreth 3 milionë euro. Në pranga ka rënë edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi. Arrestimi i tyre është bërë pasi akuzohen se kanë favorizuar të afërmin e Lefter Allës, Aqif Koneshën, i cili ka kryer punimet e ujësjellësit të ri. Më 18 mars, GJKKO caktoi masën e sigurisë ‘arrest me burg’ për kryebashkiakun e Bulqizës, dhe zyrtarët e tjerë të arrestuar. Gjatë dëshmisë së tij, Alla i konsideroi akuzat si sulme politike ndaj tij.