Admir Tutaj

Në burg për trafik armësh dhe grup kriminal, Apeli i GJKKO rrëzon kërkesën e Admir Tutaj për ndryshim mase! Në shtator u ekstradua nga Kolumbia

11 Tetor, 12:36| Përditesimi: 11 Tetor, 12:43

  • Share

Rrëzohet kërkesa e 25 vjeçarit Admir Tutaj për ndryshim të masës së sigurisë.

Gjykata e Apelit të Posaçëm rrëzoi kërkesën e Tutaj për masë më të butë sigurie se “arrest në burg”.

Gjyqtarja Saida Dollani në seancën e kësaj të premte vendosi të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

Admir Tutaj u ekstradua nga Kolumbia në Shqipëri në datë 19 shtator të këtij viti, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për tre vepra penale

GJKKO kishte caktuar ndaj tij masën “arrest në burg” për  “Trafikimi i armëve dhe municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

25 vjeçari u shpall në kërkim në muajin prill të vitit 2023, pas një operacioni të policisë së shtetit në portin e Durrësit.

Në prill, shërbimet policore gjetën brenda një automjeti furgon, tip Benz, një arsenal armësh që ishte fshehur në një tavoline druri.

Hetimet që u kryen nga policia treguan se arsenali ishte siguruar nga Tutaj në bashkëpunim me disa persona të tjerë, me qëllim trafikimin e tyre drejt Britanisë së Madhe.

G.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?