Në ditarin e gazetares Danjela Maloku... ngjarjet e opozitës gjatë 2021

1 Janar 2022, 12:22| Përditesimi: 1 Janar 2022, 12:27

  • Share

Një vit i pazakontë ka qenë 2021 për opozitën. Ndonëse e nisi rrugëtimin e saj me bindjen se do të rikthehej në pushtet pas dy mandatesh në opozitë, Partia Demokratike i humbi zgjedhjet e përgjithshme. Selia blu tronditet nga vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili shpalli Non Grata Sali Berishën, për korrupsion të thellë dhe cënim të sigurisë kombëtare të SHBA. Lulzim Basha kërkoi prova, por për disa muaj nuk u shpreh qartë lidhur me këtë vendim. Pas një muaji të qetë pushimesh, kryedemokrati Lulzim Basha vendosi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i PD, duke ndryshuar të gjithë rrjedhën e ngjarjeve brenda familjes së tij politike.  Për herë të parë më 10 shtator të 2021 ecën në drejtime të kundërta. Viti 2022 pritet të tregojë se cili do të jetë fati i partisë së parë dhe më të madhe opozitare në vend. Ngjarjet renditen në ditarin e punës së gazetares Danjela Maloku.

Partia Demokratike do të niste rrugëtimin e saj përgjatë 2021 me bindjen se ky vit do ta rikthente në pushtet pas 2 mandatesh në opozitë.

28 janar

Lulzim Basha i shoqëruar nga ekipi i tij, do të niste me ekonominë prezantimin e programit elektoral.

1 mars

Demokratët vendosën që në zgjedhje të hyjnë në lista të ndara me LSI, por kjo nuk e ndaloi që në nisje të muajit Mars, të nënshkruanin në një Hotel të Tiranës marrëveshje për koalicion paszgjedhor.

25 prill

Bindja se shqiptarët do të zgjidhnin ndryshimin nuk mjaftoi që opozita të fitonte zgjedhjet, duke shënuar humbjen e 3të radhazi në zgjedhjet e përgjithshme. Kjo shkaktoi pakënaqësi.

11 maj

Pa kaluar as një muaj nga zgjedhjet e 25 prillit, PD nisi e ndarë nga aleatët betejën ligjore për masakrën elektorale, që u shtri në të gjitha hallkat ankimore.

18 maj

Kur PD përpiqej të justifikonte humbjen me masakrën elektorale, shfaqen zërat e pakënaqur nga lidershipi blu . Akuzat ndaj Lulzim Bashës se ky i fundit ishte fajtor për humbjen e zgjedhjeve dhe kërkesat që ai të jepte dorëheqjen cuan në hapjen e garës për kreun e PD.

19 maj

Selia blu tronditet nga vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili shpalli Non Grata Sali Berishën, për korrupsion të thellë dhe cënim të sigurisë kombëtare të SHBA. Lulzim Basha kërkoi prova por për disa muaj nuk u shpreh qartë lidhur me këtë vendim. Asnjë prej demokratëve nuk e bëri.

13 Qershor

Nën këtë klimë dhe mes zërave të shtuar kritikë, Lulzim Basha u konfirmua në krye tëPD me rreth 33 mijë vota demokratësh.

17 korrik

Me mandat të tretë në krye të PD, Lulzim Basha nisi një analizë të brendshme për humbjen e zgjedhjeve që do të kulmonte me miratimin Kuvendin e 17 korrikut.

9 shtator

Pas një muaji të qetë pushimesh, Lulzim Basha mori vendimin e madh. Përjashtoi Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD, duke ndryshuar të gjithë rrjedhën e ngjarjeve brenda familjes së tij politike.

10 shtator

Për herë të parë më 10 shtator të 2021 ecën në drejtime të kundërta! Në hyrje të parlamentit, Sali Berisha do të pritej me ovacione nga militantët, ndërsa Lulzim Basha i shoqëruar nga deputetët e tij, përmes kalasë së Tiranës do të shmangte rrugën e bërë krah atij që i hapi dyert e partisë 17 vite më parë. Kjo ditë e cila përkonte edhe me kthimin e opozitës në parlament, pas më shumë se dy vite bojkot,  shënoi ndarjen e rrugëtimit politik të dy figurave qendrore të Partisë Demokratike.

16 shtator

Vetëm një javë më pas, në kundërpërgjigje të vendimit të Bashës , ish kreu i PD Berisha nisi turin e të ashtuquajturës Foltore. Më shumë se 25 takime me bazën e demokratëve ku përgjatë dy muajve iu bashkuan dhjetëra deputetë. Berisha akuzoi Bashën për pazare me Ramën dhe sulmoi shefen e diplomacisë amerikane. Nuk munguan premtimet për ta kthyer PD në forcë qeverisëse.

11 dhjetor

Mblidhet Kuvendi i Delegatëve i iniciuar nga Berisha. Ndryshime në statut, logo e firmë të re, shkarkimi i Bashës përmes referendumit dhe krijimi i një komisioni që do të merrte drejtimin e partisë.

13 dhjetor

Vetëm dy ditë më pas, Berisha dhe mbështetësit e tij u futën brenda selisë blu duke rrezikuar edhe një përplasje të mundshme fizike.

18 dhjetor

Në betejë për të zotëruar partinë, kryedemokrati Basha thirri një javë më pas Kuvendin Zyrtar të PD duke premtuar shkëputjen njëherë e mirë nga e shkuara. Në po të njëjtën ditë, demokratët votonin në bazë referendumin për shkarkimin e tij.

20 Nëntor

Sali Berisha drejtoi protestën e thirrur nga ai kundër Open Ballkan dhe inceneratorët, kauzë e cila ra. Në shesh u grumbulluan shumë pak protestues dhe u shënuan incidente. Dy persona u arrestuan për djegie të flamurit serb i vendosur në bulevard me mbërritjen e presidentit serb Aleksander Vuçiç në takimin e radhës të Open Ballkan. Pas këtyre zhvillimeve të opozitës, viti 2022 do të ndajë përfundimisht atë çfarë do të ndodh në PD. Berisha dhe Basha do të përplasen në gjykatë për statutin. Kurse fati i drejtimit të PD do të varet nga aktet politike të dy palëve, ndonëse ka zëra që në 2022 do të kemi dy parti të reja PD.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • KARADYZEN KASAP REXHEP BULE LEKA [ KEPI ]: 01/01/2022 16:30

    Si lyl dyli e si Sali dylli jan njësoi e shyqyr që Zoti kto dy plera nga politika do i qëroi. E üopulli Shqiptar i qet të jetoi.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?