Peter Prifti

Kultura

Në ditën e 15 vjetorit të ndarjes nga jeta të albanologut Peter Prifti

17 Gusht, 22:57| Përditesimi: 17 Gusht, 23:08

  • Share

Një nga figurat më të plota poliedrike, me aktivitet prej gjashtë dekadash në Amerike, është ajo e Peter Priftit (1924 - 2010) i cili me gjithë prurjet në gjuhësi, histori, arkitekturë, shkencat politike, ekonomi, si edhe në përkthime, letërsi, mbetet pak i njohur jashtë rretheve akademike amerikane, shqiptare dhe kosovare.

Kjo mund të lidhet fort me karakterin e tij tepër modest dhe mos rënies së gjoksit për aftësitë e tij dhe bagazhin e arsimin e tij të lartë. Analizat e tij të habisin sot për saktësinë e trajtimit e argumentimit dhe largpamësinë e mendimit si në punët e komunitetit e Kishës Autoqefale tek çështje të politikës së brendshme dhe të jashtme të shtetit shqiptar dhe amerikan.

Libri i tij i parë Socialit Albania Since 1944 botuar nga MIT Mass në 1976 është konsideruar si pikë referuese e studimeve për Shqipërinë nga revistat shkencore dhe gazetat më të mëdha të Amerikës, Evropës e Australisë. Artikujt dhe esetë e Peter Priftit do të ishin burim informativ e referues për studiuesit e çështjeve shqiptare në mbarë botën gjatë izolimit të regjimit hoxhist.

Si njohës i mirë i shqipes, anglishtes dhe frëngjishtes, Peter i lexonte materialet dhe shkrimet në gjuhët origjinale dhe përveç kësaj kishte aftësinë të hynte në thelbin e temave historike, ekonomike, sociale, gjuhësore etj. Edhe në dekadat pas rënie së komunizmit, botimet e tij në anglisht, frëngjisht dhe shqip si edhe librat nga botues amerikanë e shqiptarë dallohen për mendimin e qashtër analitik dhe nivelin shkencor të temave të trajtuara.

Për mua si mbesë e tij, sot në 15-vjetorin e largimit të tij nga kjo botë, më tërheq fillesa e jetës së tij në Amerikë ku ai erdhi të jetonte në Filadelfi me babanë dhe vëllain e madh.

Peter Prifti, i cili do arrinte të merrte diplomën e Masterit në Filozofi, do shkonte si Specialist në Massachusets Institute of Technology (MIT) dhe, më pas do nderohej me titullin Emeritus në Departamentin e Linguistikës në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, në 1940 i shkruan letrën e parë mamasë që e kishte lënë në fshat. Ai nuk qahet se nuk e di gjuhën, se nuk ka shokë, dhe se në shkollën e madhe është i vetmi shqiptar në klasë.

Pas pyet për familjen dhe kushërinjtë, rrëfen se ka një javë e gjysmë që vete në shkollë “inglish” dhe se “shkolla këtu të jep librat, rigë, mullivë, bojë, kartë për të shkruar të tëra. I tregon për vizitën në kopshtin zoologjik ku rrojnë kafshët e botës duke shprehur befasi dhe admirim me shprehjen “të vesh atje të çuditesh”.

Në fjalinë tjetër Peter tregohet i rezervuar "si një i rritur" kur thotë se “të gjitha gjërat që më kishit dhënë ua dhashë dhe u kënaqën shumë.” Më tej, përmend me radhë të gjithë bashkëfshatarët me të cilit ishte takuar (“pjekur” në të folmen dialektore) në Filadelfia.

I mësuar të shkojë në kishën e fshatit, djaloshi 15 vjeçar rrëfen se kishte vajtur 2 herë në kishë dhe se “njëdizaj të dielë erdhi dhe Fanoli mbajti fjalë në kishë. A merrni vesh gjë ju aty nga politika”. E shkruar me gjuhën e një adoleshenti, ai mesa duket ka ndjerë tonet që shprehnin në atë kohë fjalimet e Fan Nolit në kohën kur Lufta e Dytë Botërore kishte shpërthyer prej tetë muajve. Menjëherë kthehet tek vajtjet në “sinema”, mesa duket ishte një tërheqje e re dhe zbavitëse. Në fund, Peteri i dërgon të fala edhe për gjitonët dhe e mbyll me “Përfundoj unë biri i juaj Pando Rr. Prifti”

Nga opusi i tij i pasur në shumë lëmi, po të veçohen letërkëmbimet dhe korrespondenca me presidentët amerikanë, profesorë dhe akademikë do ketë vëzhgime me shumë interes dhe me koherencë për kohën e sotme. Prandaj po kujdesem t’i mbledh dhe t’i klasifikoj letrat e tij me idenë e një botimi të ardhshëm. Për përvjetorin e sotëm, letra e tij e parë më ngjan se nis të shpërfaqë interesimet e tij në shumë lëmi të cilat më vonë u kultivuan në nivele të larta dhe veçanërisht manifeston një dimension konstant të tij - ngrohtësinë e pacënuar kurrë nga largësia fizike me nënën, familjarët e bashkëatdhetarët./Gazeta Dielli

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se takimet e Trump me Putin e Zelenskyn do sjellin paqen në Ukrainë?