Në ditën e shenjtërimit të nënë Terezës, Ansambli orkestral instrumental Italian BELLINI, ka dhënë një koncert për artdashësit gjirokastritë. Koncerti erdhi si ide organizative nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë dhe asaj të nderit në Gjirokastër drejtuesit e të cilit kanë qenë prezent në spektaklin e dhuruar në sallën e Kinoteatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër. Kjo është dita e dytë e koncertit të ansamblit italian, pasi një ditë më parë në Apoloni.
“Muzika italiane në historinë e kinemasë” ka qenë tabloja artistike që është shfaqur mbrëmjen e djeshme duke evokuar kolonat zanore të filmave më të arrirë artistikisht nga ana e autorëve italianë kryesisht regjisorë dhe kompozitorë të këtyre filmave ndër vite. Orkeestra BELLINI ka dhuruar spektakël të vërtetë pasi pas kaq shumë vitesh, një formacion i tillë orkestral klasik jep shfaqje në Gjirokastër.
E me këtë rast, instrumentistët virtuozë italianë, zgjodhën të dhuronin spektakël për artdashësit gjirokastritë, kolonat zanore të filmave që kanë fituar çmimet OSCAR, si “Na ishte një herë Amerika”, “Aromë gruaje”, “Kumbari” etj të cilat kanë qenë kompozime të muzikantëve italianë me famë botërore si Nikolo Piovani, Nino Rota, Ennio Morikone etj. Drejtuesi i orkestrës italiane Aldo Ferrante, ka ndarë emocionet pas shfaqjes duke qenë i impresionuar nga duartrokitjet e publikut.
Koncerti i mbrëmjes së djeshme u organizua nga Konsullata e Përgjithshme e Italisë në Vlorë së bashku me Bashkinë Gjirokastër dhe Konsullatën Italiane të Nderit në Gjirokastër me rastin e ditës së shenjtërimit të Nënë Terezës.