Mbishkrime në Veri të Kosovës

Në ditën e takimit Kurti-Vuçiç, në veri të Kosovës shfaqen mbishkrime provokuese me ngjyrat e flamurit serb! Banorët në panik

18 Gusht 2022, 11:24| Përditesimi: 18 Gusht 2022, 11:32

  • Share

Në ditën e takimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksander Vuçiç në Bruksel në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, në veriun e Kosovës shihen mbishkrime provokuese nëpër mure, të cilat kanë trembur banorët.

Në mbishkrime shfaqen ngjyrat e flamurit serb, ku thuhet “Këtu jemi, mos u merakosni” dhe “Këtu jemi, po presim”, të shkruara në emër të ashtuquajturës “Brigada veriore”,  të cilat janë vendosur nëpër lokacione të ndryshme në rrugët e veriut të Mitrovicës.

Pankartat kanë shqetësuar qytetarët e asaj zone, duke ngjallur panik tek ta. Këta të fundit për KosovaPress kanë thënë se ndihen të pasigurt. Burime të KosovaPress-it bëjnë me dije se këto afishe të shkruara në alfabetin cirilik, ku vërehen ngjyrat e flamurit të Serbisë dhe katër shkronjat “s” janë vendosur mbrëmë pas mesnatës nga persona të maskuar.

Mbishkrimet në veri të Kosovës

Pas 31 korrikut u rritën tensionet mes Serbisë dhe Kosovës, pasi serbët lokalë vendosën barrikada në veri të vendit, duke bllokuar rrugët që çonin në pikat kufitare me Serbinë, në Jarinjë dhe Bërnjak. Serbët kundërshtuan dy vendime të Qeverisë së Kosovës, që kishin të bënin me targat dhe dokumentet serbe, por më 1 gusht barrikadat u hoqën dhe Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri në shtator.

Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë bisedime me ndërmjetësimin e BE-së. Takimi i parë Kurti-Vuçiç, i mbajtur me 15 qershor 2021 në Bruksel, kaloi me grindje dhe mosmarrëveshje të mëdha, madje edhe me ngritje tonesh. Takimi i dytë, i mbajtur më 19 korrik 2021 ishte shumë më i shkurtër, sesa ishte planifikuar, sepse palët nuk ishin dakord pothuajse për asgjë. Takimi i tretë do të zhvillohet sot, në Bruksel, ndërsa dje Kurti dhe Vuçiç zhvilluan takime paraprake secili veçmas me Miroslav Lajçak dhe Grabriel Escobarin.


Lajmi kryesor:

Përfundon takimi Kurti-Vuçiç në Bruksel, Borrell: Nuk arritëm marrëveshje, por negociatat do të vazhdojnë


D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?