Të premten në Air Albania do të luhet supersfida e javës së 23 të Superligës mes Kukësit kryesues dhe Tiranës ndjekëse, që në klasifikim i ndan vetëm një pikë. Te verilindorët vijon stërvitja intensive, me trajnerin Duro që për ‘report tv’ shprehet optimist për këtë sfidë:
“Ne kemi qenë superior me Tiranën në dy ndeshjet e para si në lojë dhe si në rezultat. Besoj që në sfida e ardhshme ka historinë e saj, favorit nuk ka, por da ta fitojë ajo skuadër e cila do ta interpretojë më mirë në fushën e lojës.”
Duro më tej thotë se nuk e trem ecuria jashtëzakonisht pozitive e Tiranës së drejtuar nga Egbo:
“Siç është Tirana mirë edhe ne jemi mirë. Kemi tre muaj pa humbje kështu që është një ndeshje ku të dy skuadrat janë në formë optimal.”
Ndërkohë futbollisti Vesel Limaj fillimisht shprehet se sfida me Tiranën do të jetë shumë e vështirë, ndërsa përsa i përket luftës për titull kampion ai sheh si bardhblutë ashtu edhe Partizanin në garë.
“Të dyja të dyja. Besoj që kampionati është i gjatë dhe si Tirana e Partizani do të jenë rivalët tanë.”
Për këtë takim te Kukësi në diskutim është sulmuesi Rroca, ndërsa pavarësisht se nuk është stërvitur kapiteni Musolli pritet të jetë i gatshëm.