TIRANË- Në 1 qershor shënohet edhe nisja e një faze tjetër me masa lehtësuese sa i përket COVID-19! Nga sot, nuk do të ketë më zona të kuqe apo të gjelbra, që përkthehet në liri-dalje pa kufizime orari.
Gjithashtu, në 1 qershor, në ditën që u dedikohet atyre, fëmijët e vegjël do të shkojnë në kopshte dhe çerdhe, pas më shumë se 2 muaj të mbyllur në shtëpi. Siç autoritet përkatëse kanë bërë me dije, ambientet e kopshteve dhe çerdheve janë dezinfektuar dhe do të funksionojnë në rregulla të rrepta sigurie. Me hapjen e kopshteve dhe çerdheve, do të hapen edhe parqet dhe këndet e lojërave. Te parku "Rinia" kanë përfunduar punimet dhe është gati që të mirëpresë fëmijët.
Edhe kufijtë tokësorë do të hapen dhe është hequr edhe detyrimi i vetëkarantinimit, përveç rasteve kur vendoset nga autoritete shëndetësore. Lajmi i mirë është se hapen plazhet që menaxhohen nga struktura akomoduese, hotelet. Ndryshimi është se këtë vit, plazhet do të menaxhohen nga edhe restorantet, siç bëri të ditur më herët ministri i turizmit Blendi Klosi. Ndërkohë, më vonë, më 6 qershor do të hapen plazhet për qytetarët, të cilët këtë sezon turistik do të kenë në dispozicion më shumë plazhe publike, ndryshe nga e kaluara.
Edhe për sportdashësit ka lajme të mira, pasi do të nisë kampionati i futbollit, edhe pse do të duhet që emocionet e ndeshjeve t'i përjetojnë nga televizori pasi nuk do të lejohen që të ulen në shkallët e stadiumit për të parë skuadrën e tyre të zemrës, me qëllim shmangien e grumbullimeve të mëdha të njerëzve.
Megjithatë, teksa Shqipëria po hapet në masën 99%, nuk ka ende një vendim se kur do të hapet transporti publik, e ndërsa është planifikuar që hapja e pishinave, teatrove, kinemave, e klubeve të natës, mbajtja e konferencave dhe tubimeve të bëhet pas 23 qershorit, edhe pse këto të fundit (protestat) nuk kanë munguar si nga ana e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe të PD-së, me në krye Lulzim Bashën.
Sa i përket dasmave, ato do të lejohen të zhvillohen, por me një numë rtë vogël pjesëmarrësish. Njëjtë edhe për funeralet.
Ministria e Shëndetësisë ripërsëritur apelin për zbatimin e të gjitha masave të sigurisë “situata e epidemisë të shkaktuar nga COVID-19 nuk ka përfunduar”. Pamjet e qyteteve "fantazmë" tashmë do i përkasin të kaluarës, pasi pritet që vendi t'i rikthehet normalitetit dhe e gjitha të jetë në dorën të individëve për kujdesin ndaj COVID-19.