Vihen në filtrin e prokurorisë të gjitha firmat e pastrimit në portin e Vlorës si dhe të gjitha tragetet dhe skafet që ankorohen në terminal, bëjnë të ditur burime nga organi i akuzës për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta. Mostrat e materialeve që u sekuestruan brenda tragetit të ardhur nga Brindisi në portin e Vlorës, do të analizohen në Institutin e Fizikës Bërthamore. Ndërkohë, nga sa mësohet nga dëshmia e të arrestuarve, fuçitë kanë pasur vaj për motorin e tragetit, dhe se ata nuk kanë asnjë dijeni për "mbetjet e rrezikshme" që sipas tyre mund të jenë futur fshehurazi tyre në traget. Hetimet për rastin e kontrabandës së mallarave të rrezikshme, kanë nisur prej 10 ditësh pas një plani masash për kontrollet e territorit, ku të përfshirë në hetim kanë qenë edhe inspektorë të mjedisit.
Operacioni për sekuestrimin e djeshëm dhe arrestimin e 6 personave ka nisur që dje në 5 mëngjes pas një informacioni të marrë në rrugë operative se në tragetin e nisur nga Brindizi me pasagjerë për në Vlorë kishte mbetje të rrezikshme.
Trageti dhe të gjitha lëndët e rrezikshme sipas policisë, mes të cilave edhe amiant, do të qëndrojnë nën sekuestro derisa të jetë e nevojshme për hetimet.
Lajmi kryesor:
Pezullohet transporti i mbetjeve në Shqipëri! Të arrestuarit në Vlorë: S’ka pesticide, fuçitë me vaj motori...Analizat tek Fizika Bërthamore
G.M.//ReportTv.al