Kombëtarja shqiptare të shtunën në Francë do të zhvillojë ndeshjen e radhës për eliminatoret e Europianit kundër kampionëve të botës. Sot ndërkohë kuqezinjtë kanë nisur grumbullimin dhe seansat stërvitore nën drejtimin e trajnerit Edi Reja. Në prag të takimit, Bekim Balaj, i cili vjen pas një forme të mirë por edhe 1 goli të shënuar me ekipin e tij Sturm Graz, shprehet optimist për ndeshjen me ‘gjelat’.
"Dihen vlerat e kundërshtarëve që kemi përballë, dihet forca e tyre, por ne po bëjmë përgatitjet maksimale. Të punojmë këto ditë dhe shpresoj që i gjithë grupi të jetë gati e ti përballojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Si në Francë ashtu edhe në Elbasan të luajmë për rezultat pozitiv. Që në ndeshjen e parë, kundër kampionëve të botës, të bëjmë nnjë paraqitje të mirë dhe të pretendojmë të marrim pikë."
Ndërkohë gardiani i kombëtares Thomas Strakosha i cilëson si jetike sfidat me Francën dhe Islandën.
"Besojmë që këto dy ndeshje do tregojnë nëse jemi për tu kualifikuar apo jo. E dinë të gjithë që janë ndeshje të rëndësishme. Ne duhet të në nivelin e duhur psikologjik, të stërvitemi mirë dhe pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë."
Tre ditë pas ndeshjes me Francën, ekzaktësisht me 10 shtator kuqezinjtë do të luajnë ndeshjen tjetër të eliminatoreve të Europianit kundër Islandës në Elbasan Arena.
Komente
