Kompania amerikane e prodhimit të vaksinave Novavax pritet të nisë fazën e dytë të testimit në njerëz të një vaksine kundër COVID-19 në Afrikën e Jugut. Ky vend ndodhet në mesin e një vale në rritje të rasteve me koronavirus.
Novavax njoftoi se provat klinike do të përfshijnë 2,665 persona të rritur të shëndetshëm në Afrikën e Jugut. Testet gjithashtu do të krahasojnë ndikimin e vaksinës tek 240 persona të prekur nga virusi HIV, por në gjendje shëndetësore të qëndrueshme, tek të cilët vaksina mund të ndikojë ndryshe nga ata që nuk janë prekur nga viruisi HIV.
Gjetjet paraprake të provave të para klinike treguan se tek ata persona ku u injektuan dy doza të vaksinës u krijuan antitrupa neutralizues që mund të parandalojnë futjen e koronavirusit në qelizë. Krahas provave klinike në Afrikën e Jugut, Novavax do të zhvillojë gjithashtu një fazë të dytë të provave klinike në Shtetet e Bashkuara dhe në Australi në një të ardhme të afërt.
Afrika e Jugut është vendi i pestë më i prekur në botë, me më shumë se 589 mijë raste me koronavirus dhe më shumë se 11 mijë vdekje.
Novavax tha se prova klinike në Afrikën e Jugut është bërë e mundur pjesërisht nga një grant prej 15 milionë dollarësh nga fondacioni Bill & Melinda Gates. Muajin e kaluar, qeveria amerikane nënshkroi një kontratë prej 1.6 miliardë dollarësh me firmën Novavax për të mbuluar testimin dhe prodhimin e një vaksine kundër koronavirusit në Shtetet e Bashkuara me qëllimin për të siguruar 100 milionë doza deri në janar./ VOA