Në vijim të takimeve përmbyllëse për zgjedhjet vendore të 14 majit, kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako, njëherazi edhe kandidate e Partisë Socialiste për këtë bashki është ndalur në zonën e Plazhit, ku i ka shpalosur programin e saj banorëve të këtij komuniteti.
Në fjalën e saj, Sako u premtoi banorëve se do të vazhdojë puna për zhvillimin e turizmit, infrastrukturës dhe urbanizimit në zonat përreth.
Kryebashkiakja Sako ka shpjeguar para banorëve se çfarë ndikimi pritet që të ketë në zhvillimin e turizmit projekti për shëtitoren e re, e cila do të jetë e lidhur me zonën ku do të zbatohet projekti për Marinën si dhe do të rehabilitohen fasadat e ndërtesave përgjatë shëtitores.
“Çdo vit kemi parë se si është transformuar plazhi i Durrësit, se si është transformuar turizmin në qytetin tonë.Vitin e kaluar qyteti i Durrësit u vizitua nga afro 1 milion vizitorë, por ne jemi të bindur se këtë vit kjo shifër do të tejkalohet. Në lidhje me sezonin turistik, të gjitha plazhet që menaxhon bashkia, që nga Shkëmbi i Kavajës deri në Ishëm, do të monitorohen me kamera për të ofruar më shumë siguri për pushuesit vendas dhe turistët e huaj. Projektet madhore me mbështetjen e kryeministrit Rama dhe ato që ka hartuar stafi i bashkisë, po hapin rrugën për të projektuar zhvillimin e Durrësit për vitet në vazhdim, si një qytet turistik evropian”, u shpreh Sako.
Lajmi kryesor:
'Vendoret'/ Sot dita e fundit e fushatës, Sako: Brenda vitit, në Durrës mbyllet ndërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti! Boçi: Situata në Elbasan do ndryshojë
M.T//ReportTv.al