Të paktën këtë përshtypje të jep lidershipi i PD-së, nëse i referohesh takimeve që po zhvillojnë ata që duhet të jenë në krye të betejës elektorale për zgjedhjet e 11 majit.
Belind Këlliçi, Tomorr Alizoti, Besart Xhaferraj dhe Albana Vokshi ndodhen në Washington DC. Nga postimet e tyre mësohet se kanë marrë pjesë në Forumin Ndërparlamentar për Parandalimin e Kërcënimeve nga Kina, Rusia dhe Irani, organizuar në Kongresin Amerikan. Se sa e ndihmon PD-në dhe fushatën e saj përballë qeverisë dhe Edi Ramës kjo vizitë, mbetet për t’u parë nga rezultatet. Dhe kur sheh se këtë pjesëmarrje të tyre e ka siguruar Fatmir Mediu, është e qartë se vendi i sigurt në listën e PD-së për këtë të fundit është në rrugë të mbarë.
Thënë ndryshe drejtuesi politik i Tiranës, kryetari i Forumit Rinor të PD-së, së bashku me drejtuesin politik të qarkut të Elbasanit, shëtisin nëpër Amerikë në konferenca OJF-je me bindjen se mbështetja e “aleatëve” do t’i sjellë në pushtet. Pak a shumë si Lulzim Basha në 2017, kur shkrepte foton me Trumpin ndërkohë që PD ndodhej në kulmin e fushatës elektorale. Dhe rezultati dihet…
Edhe Gazment Bardhi, si kryetar i grupit parlamentar të PD-së, ndodhet në SHBA, si pjesë e një delegacioni të kryesuar nga Damian Gjiknuri, duke zhvilluar takime me zyrtarë të Departamentit të Shtetit. Bashkë me zotin Bardhi drejt Amerikës ka udhëtuar edhe Jorida Tabaku, e cila deri më tani është shfaqur vetëm në një intervistë në Zërin e Amerikës.
Më pak se 100 ditë larg ditës së votimit, gjashtë nga drejtuesit kryesorë të PD-së kanë zbarkuar në SHBA, në një tentativë për t’u dukur si pjesë e një ere “ndryshimi” që do t’i sjellë si me magji në pushtet. Në kohën kur opozita ka nevojë më shumë se kurrë për takime me njerëzit, hartim programi dhe organizim të një fushate të vërtetë, ata që duhet të jenë boshti i lëvizjes fluturojnë, jo me presh, por me avion drejt Washingtonit. Me shpresën se “aleatët” do t’i ndihmojnë këtë herë. Sepse siç ja kanë mbushur mendjen vetes : këtë herë është radha e tyre për të ardhur në pushtet./Lexo.al