Gaza

Bota

Në Gaza po vret edhe uria masive, 10 të vdekur në një ditë

23 Korrik, 15:19| Përditesimi: 23 Korrik, 15:23

  • Share

Të paktën 21 persona janë vrarë në Rripin e Gazës pas sulmeve izraelite midis mbrëmjes së djeshme dhe mëngjesit të sotëm, raportuan burime shëndetësore, duke shtuar se më shumë se gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë. Sipas Spitalit Shifa, 12 persona vdiqën në një sulm ajror izraelit që goditi një shtëpi në veriperëndim të qytetit të Gazës të martën; të vdekurit, përfshijnë gjashtë fëmijë dhe dy gra. IDF fajëson Hamasin për viktimat civile sepse militantët veprojnë nga zona të populluara.

Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi, tha se spitalet në enklavën palestineze kanë regjistruar 10 vdekje të reja për shkak të urisë dhe kequshqyerjes në 24 orët e fundit, ndërsa numri i përgjithshëm i vdekjeve si pasojë e urisë shkoi  në 111.

Uria po kthehet në një vrasës të dytë krahas sulmeve ushtarake të izraelit në enklavë. Mbi 100 organizata humanitare ngritën alarmin, duke paralajmëruar për "uri masive" që po përhapet me shpejtësi në Rripin e Gazës. Bllokada totale e vendosur ndaj Gazës në fillim të marsit, përkeqësoi në mënyrë dramatike mungesat e ushqimit, ilaçeve dhe mallrave të tjera thelbësore.

"Ndërsa uria masive përhapet në të gjithë Rripin e Gazës, kolegët tanë dhe njerëzit që u shërbejmë po zhduken", thanë OJQ-të në një deklaratë të përbashkët. Nënshkruesit përfshijnë Mjekët pa Kufij, disa degë të Mjekëve të Botës, Caritas, Amnesty International dhe Oxfam International.

Organizatat humanitare po bëjnë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, hapjen e të gjitha kalimeve tokësore dhe rrjedhën e lirë të garantuar të ndihmës humanitare.

Sa u takon përpjekjeve për armëpushim media amerikane Axios, raportoi se të enjtën i dërguari i Presidentit të SHBA-së Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Uitkoff, do të takohet në Romë me Ministrin e Çështjeve Strategjike të Izraelit, Ron Dermer, dhe një të dërguar të lartë të Katarit, si pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për një marrëveshje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se ka pasur rezultat aksioni për lirimin e hapësirave publike?