Gjysma e parë e vitit ka rezultuar më e frytshme për arkën e shtetit krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ministria e Financave njofton se në Janar-Qershor 2025 janë mbledhur rreth 366 miliardë lekë të ardhura ose afro 22.8 miliardë lekë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Peshën më të madhe në rritjen e të ardhurave gjatë gjashtëmujorit të parë e ka mbajtur tatimi i pagave. Rritja e pagës për punonjësit e administratës publike por edhe aksioni i tatimeve kundër nëndeklarimit të pagave kanë bërë që arka e shtetit të përfitojë më shumë para.
Kështu në këtë periudhë janë mbledhur 40.8 miliardë lekë nga tatimi mbi të ardhurat personale duke tejkaluar me 5.4 miliardë lekë planin fillestar, ose 26.6% më shumë se vjet. Rritja e pagave ka dhënë ndikim pozitive edhe tek fondi i sigurimeve shoqërore e shëndetësore thotë Ministria e Financave.
Pozitivisht ka ndikuar edhe shtimi i konsumit ndikuar edhe nga turizmi. Nga janari deri në qershor janë mbledhur 33.2 miliardë lekë nga TVSH-ja, rreth 20.8% më shumë se vjet. Në këtë rritje të arkëtimeve nga TVSH-ja ka dhënë edhe rritja e lehtë e çmimeve në qershor.
Nga ana tjetër zhvlerësimi i valutave, rënia e çmimeve në tregjet e huaja por edhe ngadalësimi i importit ka bërë që nga TVSH-ja në import të mblidhen 75.9 miliardë lekë të ardhura ose 0.9% më shumë se vjet.
Kurse shpenzimet në fund të qershorit arritën në 332.5 miliardë lekë, edhe pse në rritje me 41.2 miliardë lekë në raport me gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, përsëri janë më të ulta sesa të ardhurat. Ndikim në ecurinë e dobët të shpenzimeve kryesisht atyre kapitale që lidhen me investimet patën zgjedhjet e 11 majit, që kufizojnë shpenzimet, pasi konsiderohen në shkelje me kodin zgjedhor.
Për këtë arsye ky gjashtëmujor thotë Ministria e Financave është mbyllur me suficit në vlerën 33.5 miliardë lekë.
Komente

Furba e hekurudhes Tirane - Rinas- Durres ne 2026 do ta rrise me 11-15% te ardhurat pa llogaritur edhe shitje banesash me shume ne Tiranë pasi shume do te blejne ne Tiranë dhe do ta perdorin Durresin si shetitje fundjave apo airbnb etj etj
Përgjigju